TAKIM MES LAJÇAKUT DHE KAMBERIT NË BRUKSEL: INTEGRIMI, MUNGESA E INVESTIMEVE DHE MOSNJOHJA E DIPLOMAVE JANË VETËM DISA NGA PROBLEMET E SHQIPTARËVE NË SERBI

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 5. prill 2024. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në jug të Serbisë u takuan më në fund me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak. Deputeti i Bujanocit Shaip Kamberi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) Nevzad Lutfiu kanë biseduar sot me Lajçakun në Bruksel. Pas takimit, Kamberi deklaroi se përfaqësuesin e BE-së e kanë njoftuar për “të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginën e Preshevës”.
“Lajçakun e informuam për mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët në institucionet shtetërore, por edhe për gatishmërinë e sistemit shtetëror për të pasivizuar shqiptarët. Mosintegrimi i shqiptarëve në institucione i ka bërë ata jo të besueshëm dhe diskriminues, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mire”, deklaroi Kamberi
Sipas tij, Lajçakut iu paraqit problemi i mosnjohjes së diplomave të Kosovës, gjegjësisht rëndësia dhe ndikimi që do të kishte njohja përfundimtare për perspektivën e re të kësaj zone.
Mungesa e vullnetit politik për zhvillimin ekonomik të Luginës së Preshevës më së miri reflektohet në bojkotin total shtetëror të investimeve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Prandaj, komunat ku jetojnë shqiptarët janë ndër komunat më të pazhvilluara në vend – thotë Kamberi.
Ai shtoi se Lajçakut i është paraqitur infrastruktura e shkatërruar shkollore ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, si dhe se mungesa e teksteve në gjuhën shqipe e vështirëson edhe më shumë arsimimin e të rinjve shqiptarë.
“E ardhmja evropiane duhet të jetë e vetmja rrugë për Ballkanin Perëndimor ndërsa të drejtat e njeriut dhe të pakicave duhet të jenë parakusht thelbësor për vazhdimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi Kamberi.
Disa nga temat e diskutimit janë në fakt pjesë e Planit 7-pikësh që parasheh integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, zhvillimin ekonomik të komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, sigurinë e kësaj zone, të drejtën për përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare, decentralizimin e gjyqësorit, përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës dhe informimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
Deri në publikimin e këtij teksti, Lajçak nuk ka bërë të ditur takimin e tij me politikanët shqiptarë.
Përndryshe, politikanët e këtushëm shqiptarë vazhdimisht e kanë kritikuar Lajçakun për refuzimin e takimit me ta, ndërsa ai takohet rregullisht me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *