ZËRA KOMPROMISI NË DEBATIN PARAZGJEDHOR NË BUJANOC

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 21. maj 2024. Në debatin parazgjedhor, që u organizua të martën në Bujanoc nga Qendra Mediale e Nishit, morën pjesë përfaqësues të katër prej nëntë listave zgjedhore lokale. Ata folën për fushatën parazgjedhore, problemet që evidentuan në lokal dhe zgjidhjen e tyre, si dhe nëse dhe me kë do të bëjnë koalicion pas zgjedhjeve të 2 qershorit.
Shumica e përfaqësuesve të partive dhe grupeve politike u pajtuan se problemet më të mëdha në Bujanoc janë deponia, ndotja dhe helmimi i qytetarëve, pasuar nga mungesa e vendeve të punës dhe e investimeve.
Rahim Salihi, përfaqësues i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), e ka theksuar si problem centralizimin e pushtetit, gjegjësisht se Bujanoci është i padukshëm për Beogradin dhe Serbinë.
“Mendoj se është koha që për qytetin tonë të kujdesen njerëzit që e kanë prioritet Bujnaocin dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur për ta arritur këtë – tha Salihi.
Bartësi i listës “Ndryshime tani, për fshatin tonë për qytetin tonë”, Sasha Arsiq, përveç problemeve të përmendura, foli edhe për furnizimin me ujë dhe nevojën e emërimit të dikujt ekspert në krye të Komunalisë si dhe për nevojën për transparencë më të madhe në punën e kuvendit lokal. Një nga qëllimet e koalicionit të tij, siç ka thënë ai, është që nxënësve nga territori i komunës së Bujanocit, kudo që janë, t’iu ofrojë transport falas deri në shkolla.
Goran Tashkoviq nga lista serbe GQ “Nenad Tasiq Tasa-Goran Tashkoviq-Zgjedh ndershmërinë”, tha se problem tjetër është hapësira e pamjaftueshme mediatike, ngase sipas tij, transparenca në punë është gjëja më e rëndësishme, ndërkaq kjo i mungon Bujanocit.
Përfaqësuesi i listës së vetme rome, Alen Ramadani, beson se përveç mungesës së vendeve të punës, problem i madh për romët janë edhe rrugët e paasfaltuara në lokalitetet rome, duke theksuar se suksesi më i madh i komunitetit rom është ardhja e ministrit Gjerlek i cili i dëgjoi problemet e tyre dhe ndihmoi ata.
Në pyetjen nëse do të bashkëpunojnë me të tjerët pas zgjedhjeve, pra të hyjnë në koalicion, qëndrimet e përfaqësuesve të listës ishin të ndara. Ndërsa disa kanë theksuar qartë se nuk duan të bashkëpunojnë me Partinë Progresive Serbe (SNS), të tjerët janë ende të rezervuar.
– Populli do të thotë gjithçka në zgjedhje. Sigurisht që nuk do të hyjmë në koalicion me SNS-në apo me ata që i mbështesin. Disa njerëz po bëjnë një fushatë të shurdhër e të verbër dhe mendoj se pas saj fshihet një lloj mashtrimi, i cili do të shihet pas zgjedhjeve – tha Arsiq, duke aluduar për grupin e qytetarëve të udhëhequr nga doktor Dejan Stojanoviq.
Tashkoviq nuk ka bërë një deklaratë të qartë, por ka thënë se nuk e sheh askënd si armik.
– Ne të gjithë kemi të njëjtat probleme, si serbë, ashtu edhe romë dhe shqiptarë, dhe duhet t’i zgjidhim të gjithë së bashku. Nëse të gjithë do t’i bënim të njëjtën kërkesë Republikës (le të themi se kërkojmë që Jugokopi të fillojë punën përsëri) do të ishte mirë për të gjithë – tha Tashkoviq.
Ramadini nuk ka mundur t’i përgjigjet pyetjes për koalicion, por ka thënë se bartësi i listës, Adem Salihi, do të vendosë pas zgjedhjeve.
Rahim Salihi theksoi se partitë shqiptare tashmë kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin paszgjedhor dhe shtoi se janë të hapura për çdo formë bashkëpunimi.
– Jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që mendojnë mirë për Bujanocin. Mendoj se PVD-ja do të vazhdojë të avokojë që të mos ketë bashkëpunim me SNS-në, sepse po shikojmë në dy kahje të ndryshme – theksoi Salihi.
Për këtë, si dhe për të tjera që u diskutuan në debat, do të mund të dëgjoni dhe shikoni në emisionin që do të publikohet në ditët në vijim në kanalin You Tube të Qendrës Mediale të Nishit.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *