PAJAZITI: DO T’I PËRGJIGJEM OPOZITËS PËR TË GJITHA AKUZAT, NUK DO T’I HESHTI ASKUJT

Bujanoc, 16 gusht 2024. – Nuk e di se me çfarë formule matematikore, tri partitë me 18 këshilltarë, kanë planifikuar që të krijojnë një shumicë mbarëshqiptare me të paktën 21 vota, pa pjesëmarrjen e fituesit të zgjedhjeve, Frontit tonë për Ndryshim, tha Kryetari i Komunës së Bujanoci, Arbër Pajaziti, te TV Spektri, pjesë të së cilës transmeton Bujanovaçke.
Ai foli sesi përfaqësuesit e tri partive që kanë qenë në pushtet deri më tani e kanë injoruar pas zgjedhjeve, pavarësisht ftesave të shumta për takime dhe për marrëveshje të mundshme.

Ju e dini që ne jemi fituesit e zgjedhjeve të 2 qershorit dhe që menjëherë pas marrjes së rezultateve paraprake, i kemi dërguar ftesa partive politike shqiptare që të ulemi, të bisedojmë, të shqyrtojmë mundësinë e krijimit të koalicionit me shqiptarët. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje as me shkrim, as me ndonjë njoftim apo përgjigje nga personat të cilëve ua kemi dërguar ato ftesa. Ne u refuzuam dhe u injoruam
Për herë të dytë, siç shprehet ai, i kemi dërguar sërish një ftesë, së cilës vetëm Lëvizja për Progres Demokratik iu përgjigj duke refuzuar të pranojë ftesën, ndërsa PVD dhe PD e pranuan ftesën, por pa dhënë asnjë shpjegim.
– Njëkohësisht kemi marrë informacione se këto parti kanë zhvilluar bisedime edhe me Partinë Përparimtare Serbe, edhe me grupin e qytetarëve të Dr. Dejan Stojanoviqit, edhe me partinë rome, edhe me partinë tjetër të cilës i prinë Sasha Arsaiq, kanë biseduar për mundësinë e krijimit të një qeverie. Pra, kanë dashur të lënë në opozitë, partinë fituese të zgjedhjeve, thotë Pajaziti.
Pas refuzimit të bisedimeve, siç thotë ai, nuk kishte zgjidhje tjetër veç krijimit të një qeverie multietnike, sqaron ai.
Pajaziti sqaron se në seancat e ardhshme të KK-së do t’i përgjigjet për të gjitha akuzat që i vijnë çdo ditë në adresë të tij që nga formimi i qeverisë së re më 30 korrik.
– Në atë seancë nuk kishte kohë për t’iu përgjigjur akuzave, por do të ketë seanca të tjera ku do të përballemi me këto akuza dhe shumë probleme të tjera, do të sqarojmë gjithçka. Ne nuk jemi nga ata që do të heshtin përballë akuzave të pabaza. Të gjitha lëvizjet e mia, të gjitha takimet që kam bërë me partitë serbe, dhe ftesat që u kam dërguar partive shqiptare, i kam bërë publike në faqen time në Facebook. Ndërsa partitë përkatëse, që tashmë janë në opozitë, zhvilluan mbledhje pa i publikuar ato asnjëherë. Pra, ata kishin diçka për të fshehur, unë nuk kam çfarë të fsheh, unë jam ky që jam dhe jam këtu ku jam sot.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *