Kamberi: Vuçiqi derdh lot ” krokodilli ” për serbët e Bujanocit për të cilët s’ka bërë asgjë

Bujanoc, 23. korrik 2020. – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi qenka përpjekur sërish me kërcënuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke u viktimizuar dhe duke derdhur lotë krokodili për serbët e Bujanocit.
I njëjti Bujanoc dhe të njëjtit serbë për të cilët ai nuk bëri asgjë, që prej kurrë është njeriu më i pushtetshëm në Serbi, edhe pse serbë lokalë ishin pjesë përbërëse e bashkëqeverisjes komunale në Bujanoc. ​
Madje nuk po bën asgjë për komunat dhe serbët lokalë edhe kur janë qeveritarë si pjesë e partisë së tij.
Siç e dëshmon Presheva, ku SNS i tij është sot pjesë përbërëse e qeverisjes (madje përcaktuese e shumicës parlamentare) në komunën me mbi 95% shqiptarë.
Siç e dëshmon Medvegja, ku SNS i tij qeveris e vetme pushtetin lokal pasi i përjashtoi krejtësisht shqiptarët lokalë nga pushteti.
(Keq)përdorimi i serbëve lokalë për interesa të pushtetit në Beograd është metodë e njohur. Rezultati dihet. Vuajtje dhe viktima gjithandej. Edhe të serbëve lokalë, që mendonin se po mbrohen nga i gjithëpushtetshmi në Beograd.
Në rajonin tonë, nuk ka pasur probleme ndërtenike edhe në kohërat e luftërave më të përgjakshme. Kjo vlerë e bashkëjetesës në harmoni midis qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk kanë mundur ta përmbysin edhe “baballarët” ideologjikë të z.Vuçiq. Siç shihet edhe në këtë rast, po mbetet tejet i vështirë çlirimi nga baba politik dhe ideologjik.
Siç edhe po duket tejet e vështirë për ta kuptuar një ditë se të drejtat e njerëzve dhe demokracia nuk janë statistika. Ani se kësaj herë qenkan përmendur 300 ​ shqiptarë të Medvegjës, e jo “ 100 boshnjakë”.
Por pse nuk theksoi si sot na paskan mbetur vetëm 300 shqiptarë në Medvegjë. Ku avulluan edhe 3700 tjerë, çka i detyroi ata të ikin nga kjo komunë?
Viktimizimi dhe kërcënimet e Aleksandër Vuçiqit për interesin e pushtetit të tij në Beograd nuk na bëjnë përshtypje. Në vend të tyre, më mirë do të ishte të punojë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Serbisë, meqë po i pëlqen të paraqitet si mbrojtës i tyre.
Nëse z.Vuçiq e sheh Serbinë para së gjithash dhe mbi gjithash si shtet vetëm të atyre që i shërbejnë pushtetit të tij, nuk është vetëm problem i jonë. Është problem i krejt Serbisë.
Ne si shqiptarë, shtetas të Serbisë, ka vite që po e presim ftesën për rinisjen e dialogut të bllokuar. Një dialog ku do të ishin edhe përfaqësuesit e të gjitha përkatësive etnike nga Presheva, Bujanoc dhe Medvegja.
Por, natyrisht se për demokratizimin dhe zhvillimin e Serbisë duhet para së gjithash të angazhohet njeriu më i pushtetshëm në vend. Ky edhe është mandati dhe përgjegjësia e pushtetit. ​ ​
Z.Vuçiq, ilaç për frikë ndaj demokracisë nuk kemi. ​ Ilaç për frikë ndaj dialogut nuk kemi. Por, kemi ilaç ndaj kërcënimeve.
E ajo është vullneti dhe angazhimi ynë i pandalshëm për barazi. Për të gjithë qytetarët, pa dallim, edhe të atyre që nuk janë të përshtatshëm politikisht.



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *