Bujanoc, 24 dhjetor 2021. Për maksimum gjashtë muaj parashihet të ndërtohen dy korsi shtesë në vendkalimin Preshevë-Tabanoc, në kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, njëra prej të cilave do të rezervohet për ekonominë në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”. Korsitë shtesë duhet të parandalojnë prishjen e mallrave, për shkak të ngcjeve në kufij dhe dëmtimin e kompanisë.
Nga 1 janari, për kamionët serbë që udhëtojnë me mallrat drejt Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë dhe anasjelltas, në kufi do të mjaftojë një certifikatë e marrë në laborator në vendin amë.
Nuk do të ketë më pritje në kolona kilometërshe, kosto doganore dhe shpenzime për analiza shtesë, transmeton RTS.
Në 10 muajt e parë të këtij viti, tregtia me Shqipërinë ka arritur tashmë në 77 milionë euro.
Është reale që me Maqedoninë e Veriut deri në fund të vitit të arrijë në 250 milionë euro ndërsa rezultate edhe më të mira priten pas marrëveshjes në Tiranë.
Krahas përparimeve të bëra në nismën për Ballkanin e Hapur, po ndryshohet edhe renditja në regjistrin e tregtisë së jashtme.
Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, të cilat nuk i janë bashkuar marrëveshjes, mbeten partnerët më të rëndësishëm rajonalë të tregtisë së jashtme të Serbisë, por bashkëpunimi me Maqedoninë veriore dhe Shqipërinë po intensifikohet.
Marrëveshjet i referohen jo vetëm lëvizjes së lirë të mallrave, por edhe kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve, gjë që hap mundësinë për prodhim të përbashkët dhe plasmanine tyre në tregun e tretë.
Ministri i Bujqësisë Branisllav Nedimoviq thotë se eksportet serbe në Maqedoninë e Veriut janë rritur me 15 për qind dhe në Shqipëri me 19 për qind.
Pas marrëveshjeve të nënshkruara në Tiranë në samitin “Ballkani i Hapur”, biznesmenët presin rezultate edhe më të mira.