MINISTRI VULIN SËRISH FYEN SHQIPTARËT PËRMES FAQES ZYRTARE TË MPB

 

Bujanoc, 23. maj 2022. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), Ragmi Mustafa, vlerësoi se në Serbi është bërë e zakonshme fjalimi fyes dhe gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe se përdoret lirisht nga institucione, si në rastin e MPB.

Ai ka reaguar pas publikimit të një shkrimi në faqen zyrtare të Ministrisë me titull “Ministri Aleksandar Vulin: Vuçiq është serb i madh, president i të gjithë serbëve, kurse Kurti i vogël nuk është president i të gjithë shqiptarëve (“šiptara”) në Kosovë”.

– Pra, gjuha e fyerjes ndaj shqiptarëve, përveç se është instrumentalizuar, është bërë e zakonshme. MPB-ja e Serbisë lirshëm po e përdorë termin fyes dhe të kriminalizuar “šiptari”- ka thënë Mustafa në Facebook.

Ai shtoi se është e njëjta ministri që vazhdon të pasivizojë adresat e vendbanimit duke fshirë shqiptarët dhe duke u mohuar të drejtat elementare të njeriut.

– Në vend që të avancojë në zbatimin e të drejtave të njeriut dhe gjithëpërfshirjes, kjo ministri po thellon hendekun me gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Nuk është faji i shqiptarëve që qeveria serbe nuk ka kapacitete demokratike. Prandaj shqiptarët me të drejtë nuk e ndjejnë Serbinë shtet të tyre. Adresa është në Beograd, në Qeverinë e Serbisë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në ministrin Vulin – thotë Mustafa.

Presidenti i KKSH-së më herët ka paditur ministrin Vulin për termin “šiptari”, por Gjykata e Lartë në Beograd e ka refuzuar padinë si të pabazuar, ndërsa ankesa e Mustafës më pas është refuzuar edhe nga Gjykata e Apelit.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *