Shkruan: D. Stoshiq
Bujanoc, 7 qershor 2022. Shumica e të rinjve nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja e vlerësojnë negativisht zbatimin e përgjithshëm të marrëveshjeve teknike, të arritura në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Këto janë gjetjet nga hulumtimi i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, me seli në Bujanocit, të shpalosura gjatë prezantimit të projektit “Lugina e Preshevës perms prizmit të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.
Ky hulumtim, siç u tha në prezantimin e sotëm të mbajtur në ambientet e OSBE-së, ndihmon për të kuptuar më mirë procesin e dialogut nga qytetarët e zakonshëm të grupeve të ndryshme etnike, si dhe për të projektuar më me sukses ndërhyrjet e mundshme në të ardhmen.
Një nga konkluzionet, sipas koordinatorit të projektit Agon Islami, është se të anketuarit ishin skeptikë për përfitimet e zbatimit të marrëveshjeve teknike, por edhe se shumica e të rinjve të anketuar nuk janë të njohur me përmbajtjen e tyre.
– Ata janë të vetëdijshëm për disa çështje, por nuk janë në dijeni për marrëveshjet që përkojnë me këto çështje – theksoi Islami, duke folur për rezultatet e hulumtimit. Siç u tha gjatë prezantimit, Marrëveshja për lirinë e lëvizjes është një nga marrëveshjet e pakta për të cilën shumica e pjesëmarrësve ishin të informuar mirë dhe kishin përvoja personale lidhur me zbatimin e saj.
Hulumtimi, i cili është realizuar në periudhën nëntor-mars, ka përfshirë 504 të anketuar, të moshës 15 deri në 30 vjeç, nga komuniteti serb, shqiptar dhe rom, duke I klasifikuar në gjashtë grupe të targetuara.
– Një pjesë e hulumtimit është bërë me teknikën e intervistave në terren, ku intervistues të trajnuar kanë biseduar me të rinj nga këto tri komuna, ndërsa pjesa tjetër me teknikën e intervistave në grup, të ashtuquajturat grupet e targetuara, të cilat kishin për qëllim identifikimin e problemeve rinore, qëndrimin e tyre ndaj të rinjve nga grupet tjera etnike, por edhe qëndrimin e tyre ndaj negociatave politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në fokus grupe morën pjesë institucionet përkatëse, grupet rinore, organizatat e shoqërisë civile që merren me të rinjtë, përfaqësues të grupeve joformale rinore si dhe përfaqësues të mediave – tha Islami.
Qëllimi i hulumtimit është të përcaktojë nevojat e të rinjve nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja, perceptimi i tyre për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ndikimi i marrëdhënieve bilaterale në jetën në komunat e përmendura.
Ky projekt dhe hulumtim gjithëpërfshirës, i botuar në serbisht dhe shqip, është zbatuar nga Këshilli për të drejtat e njeriut, me mbështetjen e “Fondacionit Rockefeller Brothers”.
Në kuadër të projektit është paraparë që deri në fund të javës të mbahet një tribunë në të cilin të rinjtë nga Bujanoci do të kenë mundësinë të njihen me rezultatet e hulumtimit.