Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, Prishtinë, 13. Mars 2024. – Romët nga qendra kolektive Salvatore dhe familjet në nevojë sociale në Bujanoc do të marrin deri në 19.000 dollarë për blerjen e shtëpive në fshatrat e Bujanocit dhe zgjidhjen e çështjes së banimit. Komuna ka hapur të martën thirrje publike ndërsa aplikimi është i mundshëm deri më 12 prill.
Paratë do t’u jepen gjashtë familjeve të refugjatëve nga Kosova, të cilët më shumë se dy dekada jetojnë në kushte çnjerëzore në qendrën kolektive të Bujanocit dhe të cilët nuk janë në listën e banesave sociale që tashmë janë duke u ndërtuar.
Gjithashtu është planifikuar të sigurohet strehim për katër familje që kanë të paktën një person me aftësi të kufizuara.
“Vlera e njësisë banesore, duke përfshirë edhe rikonstruksionin e nevojshëm, arrin mesatarisht 19 mijë dollarë amerikanë, në ekuivalentin e dinarit dhe sipas rregullave të donatorit”, thuhet në ftesën publike.
Të drejtë aplikimi kanë përdoruesit e Qendrës Kolektive “Salvatore” në Bujanoc dhe individët dhe familjet që kanë së paku një person me aftësi të kufizuara.
Të gjithë aplikantët duhet të kenë të regjistruar vendbanimin ose vendqëndrimin në territorin e komunës së Bujanocit.
Paratë për blerjen e shtëpive janë siguruar nga donatorët e programit “Përkrahja e Bashkimit Evropian për Strehimin Social dhe Përfshirjen Aktive”, i cili drejtohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe Komuna e Bujanocit.
Të gjitha detajet dhe kushtet e thirrjes publike mund t’i shihni KËTU.
Në të njëjtën kohë, u hap një thirrje publike për pronarët e shtëpive që dëshirojnë të shesin pronën e tyre.
Atë thirrje publike mund ta shihni KËTU.