ESKOBAR: AMERIKA KA PROBLEM NË KOMUNIKIM ME KURTIN

Bujanoc, Prishtinë, 13. mars 2024. SHBA dhe partnerët e tjerë kanë problem në komunikim me Albin Kurtin, tha zëvendësndihmës sekretari i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Para ardhjes së tij nesër në Prishtinë, ai shton se vendimi për heqjen e dinarit është katastrofik dhe se Prishtina nuk ka ofruar alternativë për njerëzit e prekur nga ai vendim, transmeton RTS.
Eskobar thotë se SHBA-të janë të përkushtuara për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se dialogu nuk ka alternativë.
Ai i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të respektojnë atë që është rënë dakord në Bruksel dhe ta zbatojnë me vullnet të mirë dhe të parandalojnë provokimet.
“Kjo është arsyeja e udhëtimit tim në Kosovë”, tha Escobar.
Eskobar po ashtu ka thënë se SHBA-të kanë problem në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, problem ky evident edhe në komunikim me Bashkimin Evropian, NATO-n, Britaninë e Madhe, por edhe me shumë të tjerë si Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Partneriteti mes SHBA-së dhe popullit të Kosovës nuk varet nga një person apo parti, por ne kemi problem në komunikim me Kurtin. Ne kemi pasur një partneritet shumë të ngushtë me Kosovën në të kaluarën, do të dëshironim shumë që ajo marrëdhënie të ishte si më parë”, tha Eskobar.
Ai tha se Prishtina duke injoruar dialogun me Beogradin po i injoron partnerët evropianë, të cilët, siç tha ai, është e pamundur të bindin për integrim të mëtejshëm në arenën ndërkombëtare.
Eskobar tha se, së bashku me ekipin e tij në Prishtinë, do të fokusohet në efektet dhe një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për ndalimin e dinarit dhe transfertave të parave nga Serbia për njerëzit në Kosovë që varen nga këto përfitime sociale.
Ai e quajti katastrofik vendimin e Bankës qendrore në Kosovë dhe i bëri thirrje qeverisë në Prishtinë që të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për një vendim të tillë.
Ai po ashtu i bëri thirrje Prishtinës që t’i marrë seriozisht shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për trajtimin e minoriteteve në territorin e Kosovës.
Eskobar gjithashtu theksoi se qeveria në Prishtinë nuk ka ofruar asnjë alternativë që njerëzit të marrin pagat dhe përfitimet e tyre.
“Këta njerëz varen nga pagesat, kanë të drejtë të tërheqin para”, theksoi Eskobar.
Ai gjithashtu deklaroi se nuk ka pasur kontakte me komunitetet që janë prekur nga vendimi i BQK-së, duke lënë shumë të prekur prej saj “të hamendësojnë se cili është hapi tjetër”.
I pyetur për Asociacionin e Komunave Serbe, Eskobar tha se Prishtina asnjëherë nuk ka thënë nëse e pranon propozimin për statutin e Asociacionit të Komunave Serbe të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe se SHBA-të e kanë të vështirë të kuptojnë pse po injorojnë atë.
“Dua të përsëris, AKS nuk do të ishte një Republika Srpska tjetër. Nuk do të ishte shtet brenda shtetit, në një statut që lejon pushtetin ekzekutiv apo ndonjë gjë që mund të krijojë çështje kushtetuese apo funksionale për Kosovën. Është thjesht një mundësi për komunat me shumicë serbe që të koordinojnë ofrimin e shërbimeve komunale në gjuhën serbe për qytetarët e Kosovës. Kjo është ajo”, thotë Escobar.
Ai shton se është ligjërisht obligative për Prishtinën.
“Ne kemi dëgjuar shumë arsye pse nuk është parashtruar apo pse nuk ka progres, por asnjërën prej tyre nuk e pranojmë. Ne duhet të vazhdojmë”, tha Eskobar.
I pyetur se cilat do të jenë pasojat për Beogradin dhe Prishtinën nëse nuk e zbatojnë marrëveshjen nga Brukseli, Eskobar tha se përgjegjësia kryesore për Prishtinën për momentin është të fillojë të zbatojë atë që është zotuar dhe të formojë AKS-në, por që nuk ka pasur përparim në këtë drejtim.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *