ZYRTARE: HUMBEJT E KOMUNALISË MBI 2 MILIONË EURO

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 11. prill 2024. Sipas raportit financiar vjetor të kompanisë që është i disponueshëm publikisht në ueb faqen e ARE, Kompania publike “Komunalia” në Bujanoc vetëm vitin e kaluar ka pasur humbje prej gati 75 milionë dinarë (640.000 euro). Komunalia prej disa vitesh funksionon me humbje të mëdha dhe humbjet kumulative janë më të mëdha se 240 milionë dinarë. Në përkthim, kjo do të thotë se humbja aktuale e kompanisë arrin në gati 2.1 milionë euro. Situata katastrofike financiare dhe performanca e lidershipit aktual pasohet nga kolapsi total i sistemit në terren, i cili ndikon shumë në cilësinë e jetës së qytetarëve – zjarret e deponive dhe helmimet e popullsisë, mungesa e ujit, derdhjet e ujërave të zeza, plasja e tubave të ujit, sasi të mëdha mbeturinash dhe tufa qensh të braktisur në rrugë.
Sipas bilancit dhe pasqyrës së të ardhurave për vitin 2023, kompania komunale kishte të hyra prej 255 milionë dinarë, ndërsa shpenzimet ishin 329 milionë dinarë.
Krahasuar me vitin 2022, humbjet janë më shumë se trefishuar. Gjegjësisht, dy vite më parë deficiti ishte “vetëm” 24 milionë dinarë.
Bujanovaçke shkroi pafundësisht për gjendjen katastrofike në kompani, për bllokimin e llogarive, për borxhet e kompanisë për pagat e punëtorëve, për akuzat për shlyerjen e borxheve ndaj të privilegjuarve.
Ne kemi shkruar edhe për thirrjet e sindikatave të punonjësve se duhet bërë diçka urgjente nëse synohet të shmanget falimentimi i plotë i kompanisë në të cilën punojnë 180 persona.
Përgjigja e qeverisjes komunale ishte zgjatja e mandatit të Ruzhdi Halilit, kryetarit të Autoritetit të Përkohshëm që menaxhon Komunalinë, nga viti 2020.
Halili është kuadër i Partisë Demokratike të Nagip Arifit, kryetar i komunës së Bujanocit. Si e vlerëson punën e tij për katër vitet e kaluara, është një nga pyetjet që do të mbeten pa përgjigje, sepse Halili për një kohë të gjatë ka refuzuar çdo komunikim me gazetarët e portalit Bujanovaçke, edhe pse e ka obligim t’iu përgjigjet qytetarëve.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *