Bujanoc 12 janar 2022. – Sipas liderëve politikë shqiptarë, ndryshimet kushtetuese në sferën e drejtësisë, të cilat qytetarët do t’i votojnë në referendumin e 16 janarit, nuk sjellin ndryshime thelbësore demokratike në Serbi dhe për to u takon qytetarëve që të deklarohen.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), Ragmi Mustafa, thotë se shqiptarët prisnin ndryshime thelbësore kushtetuese të bazuara në parimet demokratike dhe evropiane që do ta përcaktonin Serbinë si një shtet qytetar.
“Kështu Serbia mbetet e definuar si shtet i shumicës, që do të thotë se pjesëtarët e bashkësive të tjera kombëtare janë në fakt qytetarë të dorës së dytë”, tha Mustafa.
Sipas tij, shqiptarët prisnin “një përcaktim thelbësor të Kushtetutës ndaj preambulës, ndaj Kosovës dhe bashkësive kombëtare në Serbi, të cilave duhet t’u sigurohet më shumë hapësirë për të drejtat, lirinë dhe barazinë e tyre”.
“Ne mendojmë se ndryshime të tilla nuk e sjellin këtë. Në këtë kontekst, këto ndryshime në thelb nuk e zgjidhin dhe rregullojnë shoqërinë ashtu siç duhet të rregullohet – mbi parimet demokratike dhe evropiane si shtet qytetar”, thotë Mustafa.
Ai shton se “në Luginën e Preshevës, sikurse edhe në pjesët tjera të Serbisë, qytetarët janë pothuajse plotësisht të painformuar për ndryshimet e propozuara kushtetuese dhe për këtë arsye nuk janë të interesuar për to”.
“Sigurisht që vendimi për pjesëmarrje në këtë referendum është i partive politike dhe vetë qytetarëve”, ka thënë Mustafa.
Sipas deputetit Shaip Kamberi, vetëm ndryshimi i plotë i Kushtetutës së Serbisë krijon mundësi për krijimin e shtetit ligjor dhe rrugën e tij evropiane.
Ai thekson se Kushtetuta e Serbisë nuk mund të jetë në shërbim të shtetit, të drejtave dhe vlerave evropiane duke i ndarë qytetarët në të parët dhe të tjerët dhe se është e nevojshme të ndryshohen disa nene të saj.
Së pari, siç thotë ai, neni 1, i cili thotë se “Republika e Serbisë është shtet i popullit serb”, pastaj “himni etnonacionalist “Božje pravde”.
“Për të mos folur për nenin 182, ku thuhet se “Kosova dhe Metohia është krahinë autonome e Republikës së Serbisë”, thotë Kamberi.
“Pa largimin dhe transformimin e këtyre neneve, si dhe të tjerëve që e dominojnë dhe centralizojnë shtetin mbi baza etnike, nuk mund të ketë shtet ligjor dhe europianizim”, përfundon Kamberi.