Shkruan: D. Stoshiq
Bujanoc 24 janar 2022. – Në paralelet e shkollës së mesme “Sezai Suroi”, ku mësimi mbahet në gjuhën shqipe, sot filloi gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollës fillore “Branko Radiçeviq” në Bujanoc.
Nxënësit fillimisht u mblodhën në sheshin e Bujanocit, nga ku u nisën rrugës për në shkollë, të shoqëruar nga prindërit dhe mësuesit e tyre.
Dhe siç ndodh zakonisht me fëmijët, rrugës për në shkollë dëgjoje zhurmë, buzëqeshje dhe disa shaka për ditën e akullt dhe fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.
Nxënësit, me të cilët ka biseduar Bujanovaçke, janë shprehur të kënaqur me kushtet në Gjimnazin “Sezai Suroi”, dhe më së shumti u pengon modeli i kombinuar i mësimdhënies dhe fakti që nuk mund të jenë “në përbërje të plotë” dhe “me të gjithë shokët e klasës”.
Ata shpresojnë që pas rinovimit të shkollës së tyre, të kenë kushte më të mira dhe klasa të pajisura me mjete moderne mësimore, në mënyrë që mësimi i tyre të jetë sa më efikas dhe me rezultatet sa më të mira.
Mësues i gjuhës dhe letërsisë serbe, mësues në klasën e gjashtë, Aleksandar Nikoliq, thotë për Bujanovaçke se qëndrimi në shkollë ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë ishte i këndshëm dhe i bukur.
– Ne jemi mysafirë, dhe nikoqirët na pritën mirë. Bujanoci është një mjedis multietnik, serbët, romët dhe shqiptarët jetojnë bashkë, nuk ka konflikte ndëretnike dhe nuk kam aspak frikë për sigurinë e nxënësve tanë, tha mësuesi Nikoliq.
Angjella Tashkoviq, mësuese e gjuhës serbe dhe mësuese e klasës së pestë, mendon se mësimi do të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme deri në fund të vitit shkollor.
– Më e rëndësishmja është që nxënësit të kenë kushte të mira pune dhe të mësojnë. Pres që çdo gjë të jetë mirë sepse nuk ka pse të jetë ndryshe, thotë mësuesja Tashkoviq.
Të njëjtin mendim me kolegët e saj nga shkolla ka edhe ndihmësdrejtoresha Maja Antiq Jovanov.
– Nuk pres asnjë problem, nga se ne si shkollë kemi vepruar me kohë dhe sipas të gjitha parashikimeve tona. Dhe atë që kemi paraparë, do ta zgjidhim me kohën. Falënderoj njerëzit e “Sezai Suroi” që dolën të na takojnë dhe na dhanë ambientet e tyre, sepse pa këtë nuk e di se si do të mund të organizonim mësime, me këtë numër paralelesh në klasat më të larta, theksoi ajo.
Kujtojmë se për shkak të rikonstruksionit të shkollës fillore “Branko Radiçeviq”, nxënësit e klasës së parë dhe të dytë e shfrytëzojnë objektin për parashkollorë në oborrin e shkollës, ndërsa nxënësit e klasës së tretë dhe të katërt mësimin do ta ndjekin në gjimnazin “Sveti Sava”. siç ka shkruar më parë Bujanovaçke.
Filloristët nga klasa e pestë deri në të tetën mësimin do ta zhvillojnë në shkollë në të ashtuquajturin “ndërrim të tretë”, nga ora 16 deri në ora 20, ndërsa orët do të shkurtohen në 30 minuta.
Ishte organizuar edhe transporti për në shkollë për nxënësit nga fshatrat përreth.