Shkruan: D. Stoshiq
Bujanoc, 25. maj 2022.– Komuna e Bujanocit fton subjektet ekonomike që të aplikojnë për punë në zbatimin e masave për rehabilitim energjetik të objekteve banesore në territorin e komunës, ndërsa konkursi për aplikime është i hapur deri më 9 qershor.
Të drejtën për të marrë pjesë në Ftesën publike e kanë kompanitë që merren me prodhimin, shërbimet dhe punimet për rehabilitimin energjetik të objekteve të banimit. Bujanovaçke më herët ka shkruar se janë përcaktuar dy modele për Programin për përmirësimin e efiçiencës energjetike. I pari parashikon ndërrimin e dyerve dhe dritareve, vendosjen e izolimit, blerjen e kaldajave dhe modeli i dytë vendosjen e paneleve diellore dhe inverterëve për të cilët ende nuk është shpallur konkursi.
Siç tha për portalin tonë Fazila Azemoviq, kryeshefe e Drejtoratit për investime dhe zhvillim, është e nevojshme që kompania të jetë e regjistruar në Agjencinë e regjistrave ekonomikë (ARE) për atë lloj aktiviteti dhe pune dhe të mos jetë në likuidim apo falimentim.
– Kompanitë duhet të kenë dokumentacionin dhe certifikatën e nevojshme për materialin dhe produktin e instaluar, kështu që çdo kaldajë duhet të ketë një certifikatë nga furnizuesi, ose kompanitë që prodhojnë mobilie nga materiali PVC duhet të kenë një certifikatë për produktet e tyre: dyer e dritare, sqaron Azemoviq.
Ajo shtoi se pas aplikimit të subjekteve ekonomike për konkurs, brenda 15 ditëve do të merret vendim dhe do të publikohet lista paraprake e kompanive që plotësojnë kushtet e konkursit, më pas do të zgjidhen ankesat e eventuale dhe më pas Këshilli komunal do të vendosë për listën përfundimtare.
– Vetëm pas kësaj procedure mund të shpallim konkurs për qytetarët, me ç’rast pjesë përbërëse e tij do të jetë lista e kompanive të cilat do të mund të angazhohen nga qytetarët, na thotë Azemoviq.
Subjektet e interesuara ekonomike, mund t’i shkarkojnë formularët për aplikim në ueb faqen e Komunës së Bujanocit www.bujanovac.rs, të cilat mund të gjenden në vazhdim të tekstit të Thirrjes publike.
– Në të njëjtin dokument, njëri pas tjetrit, janë edhe formulari për aplikim dhe deklaratat, ndërkaq janë dhënë edhe modelet e vlerësimit. Kriteret e përzgjedhjes dhe vlerësimit janë paraqitur qartë brenda konkursit, shtoi kryeshefja.
Ajo posaçërisht theksoi se publikimi i çdo dokumenti varet nga marrja e pëlqimit nga Ministria e minierave dhe energjetikës, se konkursi përfshin 7 masa në katër fusha të efiçiencës energjetike.
– Nga Ministria kemi marrë miratimin si për rregulloren ashtu edhe për konkursin. Tani për tani nuk kemi vërejtje dhe do të mundohemi të jemi efikas sepse ka shumë masa të ndryshme dhe do të aplikojnë një numër i madh i kompanive, tha Azemoviq.
Dokumentacioni i konkursit dhe formularët e aplikimit dorëzohen në zarf të mbyllur me shënimin “Aplikimi për thirrje publike për pjesëmarrje të subjekteve ekonomike në zbatimin e masave për rehabilitim energjetik për objektet banesore në komunën e Bujanocit – mos e hap”, me adresën e plotë të dërguesit, në anën e pasme të zarfit.
Aplikimet mund të dorëzohen me postë në adresën e Komunës së Bujanocit (Karagjorgje Petroviq 115) ose personalisht në zyrën që gjendet në pallatin e Komunës.
Kujtojmë se Komuna për realizimin e këtij programi ka marrë 9.3 milionë dinarë nga Ministria e minierave dhe energjetikës, ndërsa 4 milionë nga burimet e veta.
Të gjitha kushtet e konkursit mund t’i shihni KËTU.