MUSLIU: QEVERIA E KOSOVËS ME MASAT NDAJ SERBISË PO I SAKRIFIKON SHQIPTARËT E LUGINËS

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 30. qershor 2022. Nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu, beson se vendimi për ndalimin e përdorimit të letërnjoftimeve serbe në Kosovë u ka shkaktuar dëm shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, gjegjësisht të “po i sakrifikojnë shqiptarët e Luginës për hir të interesave ditore politike.”

Kreu i Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD) propozon një sërë masash drastike që, sipas tij, do të ishin një reciprocitet real, e jo vendimi për kartat e identitetit.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndalojë përdorimin e kartave të identitetit të lëshuara në Serbi, në mënyrë që çdo personi që udhëton nga Serbia në Kosovë, në pikën kufitare t’i lëshohet një deklaratë që zëvendëson përkohësisht përdorimin e dokumenteve serbe të identitetit.

“Bravo Kosovë, mungonte vetëm edhe kjo. Nëse jeni vërtet pro parimit të reciprocitetit, ju lutemi ta bëni këtë në të gjitha fushat, për shembull: Ashtu siç nuk mund të përdoret euro në Serbi, kështu ndaloni përdorimin e dinarit në vendbanimet serbe në Kosovë. Ashtu siç nuk mund të përdoren tekstet shkollore të Kosovës në Luginë (Bujanoc, Preshevë, Medvegjë), ashtu edhe librat serb të mos mund të përdoren në vendbanimet serbe në Kosovë. Sikur edhe Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë, i cili funksionon tërësisht sipas programit serb, ndërkohë flamujt shtetërorë të Serbisë valojnë në të katër anët e Kosovës dhe ende funksionojnë institucione të shumta paralele në mbarë Kosovën”, tha Musliu.

Ai theksoi se vendimet që do të parandalonin gjithë këtë do të ishin reciprocitet real.

Tash për tash Musliu është i vetmi politikan local që ka reaguar me këtë rast.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *