PAJAZITI: NUK KA GJASA QË QRIFI, KAMBERI DHE MUSLIU TA PRISHIN KOALICIONIN, PËR TA PUSHTETI ËSHTË PRE

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 17 janar 2023. Për partitë që qeverisin Bujanocin dhe liderët e tyre, Nagip Arifi, Shaip Kamberi dhe Shqiprim Musliu, më të rëndësishmet janë interesat partiake dhe personale që arrijnë derisa janë në pushtet dhe sigurisht që nuk do ta prishin koalicionin për shkak të mosarritjes së marrëveshjes për mazhorancën në Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), thotë opozitari Arbër Pajaziti, nënkryetar i Alternativës për Ndryshim.
Pavarësisht akuzave të ndërsjella të partnerëve të koalicionit për tradhti, shantazh dhe abuzim financiar, të cilat kulmuan pas skadimit të afatit për zgjedhjen e kryesisë së Këshillit dhe dështimit të negociatave, ata do të qëndrojnë bashkë, sepse siç thotë Pajaziti, pushteti lokal është një pre e madhe për ta.
– Ata do të qëndrojnë në pushtet sa të munden, pra deri në fund të mandatit të tyre. Ata i lidh interesi personal dhe asgjë tjetër, kjo është më e rëndësishmja për ta, kështu që kjo qeverisje e keqe do të zgjasë deri në fund – parashikon Pajaziti për Bujanovaçke.
Qëndrimi i tij për mbijetesën e shumicës qeverisëse, e përbërë nga Partia Demokratike (PD) e Arifit, Partia për Veprim Demokratik (PVD) e Kamberit dhe Lëvizja për Progres Demokratik (LPD) e Musliut, është identik me atë të shprehur më parë nga Nenad Mitroviq. lideri i grupit më të madh opozitar serb në Kuvendin e Bujanocit.
Pajaziti theksoi se Alternativa sigurisht që nuk do të marrë pjesë në organin e përkohshëm që duhet të emërojë Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave për të menaxhuar Këshillin Kombëtar në dy muajt e ardhshëm, derisa të përsëriten zgjedhjet.
– Me këtë le të merren partnerët e koalicionit, sepse askush nuk na telefonoi kur bisedonin për mazhorancën në Këshill, që përfundoi me fiasko ndërkaq nuk iu përgjigjën thirrjeve tona. Tani le të bëjnë çfarë të duan – tha Pajaziti.
Përndryshe, pasi kandidati i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) për kryetar të KKSH-së, Ragmi Mustafa, nuk mori mbështetjen e partnerëve lokalë të koalicionit (PD dhe LPD) për një mandat tjetër në krye të Këshillit, nga kjo parti kanë bërë të ditur se janë duke menduar se si do të përgjigjen përmes një vendimi që do të merret në ditët në vijim.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *