PROMOVIMI I LIBRIT TË ALEKSANDAR PAVLLOVIQIT: MIQËSIA SHEKULLORE MES SERBËVE DHE SHQIPTARËVE

Bujanoc 28. tetor 2023. Si i kanë parë serbët shqiptarët gjatë historisë, si i kanë parë marrëdhëniet e tyre ndër shekuj, pse Kosova është simboli i tyre qendror kulturor dhe kombëtar – këto janë pyetjet të cilave Aleksandar Pavloviq përpiqet t’u përgjigjet në librin “Shqiptari imagjinar: simbolika e Kosovës dhe imazhi i shqiptarit në kulturën serbe”, e promovuar të premten në Bujanoc.
Promovimi u mbajt në Shtëpinë e kulturës, ndërsa për librin folën Nikolla Llaziq, redaktor i portalit “Bujanovaçke”, Nexhmedin Ademi, magjistër i sociologjisë nga Presheva dhe autori Aleksandar Pavlloviq, kulturolog nga Beogradi.
Redaktori i portalit “Bujanovaçke”, Nikolla Llaziq, theksoi se libri tregon pasqyrën e vërtetë historike të marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe demistifikon narrativën në të cilën jetojmë.
– Jetojmë në një narrativë në të cilën serbët dhe shqiptarët ndahen në djem të mirë dhe të këqij, varësisht nga cila anë i shikon. Ka një polarizim të madh dhe kam frikë se po dëshmojmë (pa fajin tonë) se po largohemi gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri, për çka fajin e kanë elitat politike në pushtet – tha Llaziq.
Ngjarjet në veri të Kosovës po ashtu, siç thotë ai, po e prishin klimën dhe është thellësisht i bindur se qytetarët janë viktimat më të mëdha të politikës, sepse çdo ditë janë të ekspozuar ndaj përgjithësimit, manipulimit, stereotipeve dhe ndarjeve të njerëzve në të gjitha bazat , dhe e gjithë kjo, sipas tij, çon në dështim.
Si rekomandim për leximin e librit, Llaziq thekson faktin se ai do të thyejë stereotipet dhe paragjykimet që janë të pranishme si te shqiptarët ashtu edhe te serbët, lidhur me idenë që kanë për njëri-tjetrin.
– Shqiptarët nuk janë armiqtë tanë – shtoi Laziq.
Nexhmedin Ademi, magjistër i sociologjisë nga Presheva, theksoi se autori i librit nuk dëshiron t’i ballafaqojë shqiptarët me serbët, por shkruan për atë që “flitet” për shqiptarët, se si stigmatizohen shqiptarët në mjedisin serb.
– Qëllimi përfundimtar i çdo shkencëtari është të zbulojë të vërtetën. Pavlloviq u përpoq të zbërthej pamjen e “tjetrit” – tha Ademi.
Një i ri që mbështetet vetëm në histori, thotë Ademi, mund të konstatonte se ka një hendek të thellë dhe mosbesim, konfrontim dhe kundërshtim mes serbëve dhe shqiptarëve.
– Përfitimi i këtij libri është se autori na thotë se armiqësia mes këtyre dy popujve nuk është historike, por se serbët deri në fillim të shekullit të 19-të kanë pasur marrëdhënie të mira me shqiptarët. Ai përmes shembujve të ndryshëm na tregon për respektin, vlerësimin dhe dinjitetin reciprok – tha Ademi.
Sipas tij, autori ndryshon perceptimin e shqiptarit, se ai është barbar, i egër dhe armiqësor.
I fundit që foli për librin ishte autori i tij Aleksandar Pavloviq.

– Dy gjëra thelbësore për përmbajtjen e këtij libri i thanë folësit para meje. Njëra është se serbët dhe shqiptarët nuk janë armiq të përjetshëm, por përkundrazi, burimet që kemi deri në fund të shekullit të 19-të thonë se qëndrimet e serbëve kanë qenë pozitive. Tjetër gjë është se urrejtja dhe armiqësia janë konstruksione, ashtu si patriotizmi, meqë njeriu nuk lind me to. Nuk ka asgjë të natyrshme të konsiderosh dikë si armik – përfundoi Pavloviq.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *