Shkruan: D. Stoshiq
Bujanoc, 8 shtator 2022. Ndriçimi publik në rrugë duhet të ulet me 33 për qind, reklamat me ndriçim duhet të funksionojnë maksimumi 4 orë në ditë, temperatura në ambientet e punës duhet të jetë deri në 20 gradë dhe të gjitha pajisjet duhet të fiken në fund të orarit të punës. – Këto janë disa nga masat për kursimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes me të cilat do të njoftohen përfaqësuesit e ndërmarrjeve, enteve publike dhe atyre arsimore në Komunën e Bujanocit.
Në takimin e sotëm me drejtorët e shkollave në komunën e Bujanocit dhe përfaqësues të institucioneve publike, kryetari i komunës, Nagip Arifi, ka prezantuar masat për kursimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave.
Kujtojmë se Ministria e Energjisë dhe Minierave ka përgatitur një plan masash në formë rekomandimi për kompanitë publike, institucionet publike, organet dhe organizatat shtetërore, krahinat autonome dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale, me qëllim kursimin e energjisë elektrike dhe energjisë së nxehtësisë.
Kur bëhet fjalë për rekomandimet për ndriçim publik dhe kursim prej 33 për qind, në territorin e komunës së Bujanocit, kursimi do të fillojë që nga e hëna, me qëllim që në disa vende të banuara ndriçimi rrugor të fiket për një periudhë përgjatë natës.
“Tashmë jemi një komunë që kursen para, sepse ndriçimi i rrugëve në disa vendbanime është nga ora 8 deri në 12 të mbrëmjes, përveç në qytet”, tha Arifi.
Për të ulur konsumin e energjisë elektrike dhe ngrohjes me 15 për qind, të gjithë drejtuesit e institucioneve publike janë të detyruar të krijojnë një plan kursimi dhe të caktojnë një punonjës që do të kontrollojë planin e kursimit gjatë dhe pas orarit të punës.
Të gjitha ndërmarrjet publike në territorin e komunës së Bujanocit në shtatë muajt e ardhshëm do të kenë obligim që të ulin konsumin e energjisë elektrike dhe ngrohjes për 15 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Një nga masat e kursimit është fikja e dritave gjatë orëve të ditës, zhvillimi i aktiviteteve sportive dhe kulturore gjatë ditës, përkatësisht pa përdorur reflektorë dhe llamba dhe nëse përdoren, duhet të kalohet menjëherë në ndriçimin LED.
Plani i kursimit të energjisë përfshin periudhën nga shtatori i këtij viti deri në mars të vitit të ardhshëm dhe ka të bëjë me konsumin aktual dhe të rekomanduar, ndërsa institucionet dhe kompanitë publike duhet ta dorëzojnë këtë plan në vetëqeverisjen lokale jo më vonë se të martën, 13 shtator.
Nga ana tjetër, punonjësve të pushtetit lokal, institucioneve publike dhe kompanive iu rekomandua vendosja e tavolinave të tyre në mënyrë të tillë që të mund të përdorin dritën natyrale, të mos ulen roletet gjatë ditës, si dhe është e detyrueshme fikja e ndriçimit në zyrat kur nuk qëndron askush.
Gjithashtu rekomandohet që ambientet e kompanive publike të mos kenë temperaturë të ngrohjes më të lartë se 20 gradë Celsius, me përjashtim të spitaleve.