GJOBA TË REJA PËR SHKAK TË SHPALOSJES SË FLAMURIT SHQIPTAR

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 16. prill 2024. Për shkak të vendosjes së flamurit të Shqipërisë në objektin ku ndodhet Këshilli lokal i Partisë Alternativa për Ndryshim në Bujanoc, kjo parti është gjobitur me 50 mijë dinarë, ndërsa kryetari i saj i atëhershëm, Shqiprim Arifi, gjobitet me 5 mijë dinarë, si person përgjegjës.
Ky është rasti i vitit 2022, kur kreu i Alternativës në Bujanoc, Arbër Pajaziti, më 27 nëntor, pra në prag të festës kombëtare të shqiptarëve – Ditës së Flamurit, vendosi flamurin shqiptar në selinë e partisë në rrugën e “Kosovës”.
Në aktgjykimin e Gjykatës për Kundërvajtje të datës 13 shkurt të këtij viti, thuhet se është shkelur Ligji për Paraqitje dhe Përdorim të Flamurit dhe Himnit të Republikës së Serbisë (neni 41), sepse është dashur të vendoset flamuri kombëtar i Serbisë së bashku me flamurin shqiptar.
“Ky vendim është pjesë e një kolazhi diskriminues dhe shkeljes sistematike të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Derisa Qeveria e Republikës së Kosovës po përgatit themelimin e të ashtuquajturës “Bashkësi e Komunave me shumicë serbe” me kompetenca të plota ekzekutive, shqiptarëve në Luginën e Preshevës u mohohen të drejtat elementare të njeriut, siç është ngritja e flamurin shtetëror – deklaroi sot Shqiprim Arifi, i cili drejtoi Alternativën deri në shkurt të këtij viti.
Kjo nuk është hera e parë që Alternativa gjobitet për flamurin.
Për shkak të vendosjes së flamurit shqiptar, policia prej vitesh ka ngritur kallëzime kundërvajtëse ndaj drejtuesve komunalë, kryetarëve të Këshillit kombëtar shqiptar, zyrtarëve dhe drejtorëve të enteve publike, të cilët janë dënuar me gjobë për kundërvajtje nga neni 41 i Ligjit për paamjen, përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë.
Ligji ndër të tjera parashikon se personi juridik do të dënohet me gjobë prej 50.000 deri në 500.000 dinarë për kundërvajtje nëse vendos stemën apo flamurin e një shteti të huaj në Republikën e Serbisë pa e vendosur stemën apo flamurin e Republikës së Serbisë, përveç nëse parashikohet ndryshe me një marrëveshje ndërkombëtare të konfirmuar.
Sipas ligjit për pakicat kombëtare, komuniteteve u lejohet të përdorin simbole kombëtare, por jo identike me simbolet e shtetit amë.
Shqiptarët refuzojnë të ndryshojnë në asnjë detaj simbolet kombëtare, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë, e cila, siç interpretojnë ata, u garanton atyre përdorimin e simboleve të tyre.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *