ZGJEDHJET LOKALE 2024: PËR VOTAT E BUJANOCASVE GAROJNË NGA 4 LISTA SERBE DHE SHQIPTARE DHE NJË LISTË ROME

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 13. maj 2024. Afati për dorëzimin e listave të zgjedhësve për zgjedhjet lokale të 2 qershorit ka skaduar të dielën (12 maj) në mesnatë. Qytetarët e komunës së Bujanocit do të mund të zgjedhin nga nëntë lista të partive dhe koalicioneve serbe, shqiptare dhe rome.
Nën numrin 1 në fletëvotim do të jetë lista e Partisë Demokratike, e kryetarit aktual të komunës, Nagip Arifi. Ai paraprakisht ka njoftuar për kandidaturën e tij për mandatin e pestë në krye të komunës së Bujanocit.
Lista e Partisë për Liri dhe Drejtësi, e cila mbledh romët në Bujanoc, është shpallur e dyta në radhë. Kjo listë është e vetmja me status minoriteti ndërsa bartës i listës është Adem Salihi, këshilltar në Kuvendin e Bujanocit.
Lista e tretë e shpallur nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve është lista e koalicionit të mbledhur rreth SNS e quajtur “Aleksandar Vuçiq – Bujanoci nesër”. Kjo është një nga katër listat serbe që do të marrin pjesë në zgjedhje.
Lëvizja për Progres Demokratik e Shqiprim Musliut, nënkryetar aktual i komunës, është e katërta që ka dorëzuar listën e kandidatëve për këshilltarë dhe e pesta me radhë është koalicioni i partive dhe lëvizjeve opozitare shqiptare i quajtur “Fronti për Ndryshim – Driton”. Rexhepi”.
Në numrin 6 të fletëvotimit do të jetë lista “Ndrysho tani, për fshatin tonë për qytetin tonë” të koalicionit të partive opozitare serbe të udhëhequr nga Sasha Arsiq nga Lëvizja Popullore e Serbisë (NPS).
E shtata është lista e një grupi qytetarësh të udhëhequr nga Nenad Tasiq Tasa dhe Goran Tashkoviq Shila: Lista serbe – për Bujanocin, zgjidhni ndershmërinë.
Në zgjedhje merr pjesë edhe doktor Dejan Stojanoviq Meçe me grupin e tij të qytetarëve dhe listën “Zgjidh të ardhmen”, numër 8.
Partia për Veprim Demokratik (PVD) e Shaip Kamberit ishte e fundit që paraqiti listën e saj, e udhëhequr nga Ragmi Mustafi, kryetar i Degës lokale të kësaj partie në Bujanoc dhe kandidat për kryetar komune.
Lista e zgjedhësve mbyllet më 17 maj dhe deri atëherë qytetarët mund të kontrollojnë nëse janë të regjistruar dhe të paraqesin kërkesë për regjistrim apo ndryshime të tjera.
Aktualisht janë pak më pak se 43.000 votues në listën e zgjedhësve.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *