MARTINOVIQ: INFRASTRUKTURA DHE EKOLOGJIA PROBLEMET MË TË MËDHA NË BUJANOC, DO TË PUNOJMË NË ZGJIDHJEN E TYRE

Shkruan: I. Jovanoviq

Bujanoc, 18. gusht 2023. Infrastruktura rrugore, punësimi i punëtorëve të rinj në administratat komunale dhe largimi i mbeturinave janë problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe se do të punohet për zgjidhjen e tyre – ky është përfundimi i takimit të parë zyrtar të ministrit Aleksandar Martinoviq, kryetar i Trupit koordinues dhe nenad Mitroviqit, Drejtori i Shërbimit të TK me përfaqësues të pushtetit lokal.
Sipas Martinoviqit, i cili është edhe ministër për Administratën shtetërore dhe vetëqeverisje lokale, takimi ka qenë shumë konstruktiv dhe i mirë, njerëzit që udhëheqin qeveritë lokale kanë prezantuar problemet specifike me të cilat ballafaqohen pushtetet lokale.
– Këto janë probleme komunale dhe administrative që ekzistojnë jo vetëm këtu, por edhe në shumë komuna të tjera në Serbi – shton Martinoviq.
Siç thotë ai, ata arritën një nivel të lartë të mirëkuptimit që të punojnë së bashku për zgjidhjen e këtyre problemeve, ranë dakord që të jenë sa më shumë në terren, të vizitojnë secilën prej këtyre pushteteve lokale dhe të analizojnë edhe një herë të gjitha problemet për të parë se si mund te zgjidhen.
– Pavarësisht se disa nga këto probleme nuk janë në kompetencë të Ministrisë së Administratës shtetërore dhe vetëqeverisjes lokale, por të disa ministrive të tjera, unë do t’i informoj kolegët e mi në Qeveri për to dhe do t’u kërkoj që të përfshihen aktivisht në zgjidhjen e tyre – thekson Martinoviq.
Siç thotë ai, në radhë të parë bëhet fjalë për probleme që kanë të bëjnë me Ministrinë e ndërtimit, transportit dhe infrastrukturës dhe Ministrinë e mbrojtjes së mjedisit.
– Unë dhe Nenad Mitorviq do të jemi lidhja ndërmjet këtyre tri komunave dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, sepse qytetarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë të njëjtat të drejta për të jetuar një jetë të denjë dhe normale si të gjithë në Serbi dhe ky është qëllimi ynë i përbashkët – thekson Martinoviq.
I pyetur nga Bujanovaçke se çfarë është me premtimet për riaktivizimin e Gumoplastikës, Jugokopit dhe privatizimin e Banjës së Bujanocit, si dhe premtimin e presidentit Vuçiq se do të hapë të paktën një fabrikë në Bujanoc dhe do të sjellë investitor, ministri Martinoviq përgjigjet:
– Ne jemi duke punuar në këtë drejtim, Presidenti i Republikës së Serbisë dhe Qeveria e Republikës së Serbisë dhe Trupi koordinues janë absolutisht të përkushtuar për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Në takimin e sotëm konkretisht nuk folëm për hapjen e një fabrike të re, por është e sigurt se do të bëjmë përpjekje që të paktën një investitor ta gjejmë dhe ta sjellim këtu në Bujanoc.
Ndryshe, shton ai, është politikë e Presidentit të Serbisë dhe e Qeverisë së Republikës së Serbisë hapja e vendeve të reja të punës.
– Këtu jetojnë njerëz punëtorë dhe me iniciativë dhe mendoj se në periudhën e ardhshme do të arrijmë të sigurojmë së paku një investim më të madh për Bujanocin dhe në ndërkohë t’i zgjidhim të gjitha këto probleme administrative dhe komunale me të cilat ballafaqohen këto komuna – thotë Martinoviq.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *