KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTAR KËRKON NGA POLICIA TA RRESPEKTOJ PARIMIN E DYGJUHËSISË

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 8. korrik 2023. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) Nevzad Lutfiu ka kërkuar nga Stacioni Policor (SP) Bujanoc që në objektin e stacionit të vendoset mbishkrimi i shkruar në gjuhën shqipe. Në komunën e Bujanocit dygjuhësia është e garantuar me ligj. Respektimi i së drejtës së përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe është një nga kërkesat e politikanëve shqiptarë nga jugu i Serbisë në Planin 7-pikësh, i cili u pranua nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013.
Aktualisht në objektin e policisë së Bujanocit është vetëm mbishkrimi “PS Bujanovac” në gjuhën serbe me alfabet cirilik, ndërsa Lutfiu kërkon të ketë mbishkrim edhe në gjuhën shqipe.
Siç thotë ai, ligji është anashkaluar.
– Për këtë arsye u dërgova një letër zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Stacionit Policor në Bujanoc, në të cilën kërkova që të vendoset një tabelë në gjuhën shqipe dhe të respektohet dygjuhësia, siç parashihet me ligj. – thotë kreu i KKSH-së.
Shenja rrugore në Bujanoc
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, shkrimit dhe simboleve bazuar në Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare, si dhe në konventat ndërkombëtare, së bashku me heqjen e pengesave ligjore ekzistuese, është një nga pikat e Planit shtatëpikësh. Ai dokument, i cili u prezantua nga liderët politikë të shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë si bazë për “afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, u pranua dhe u miratua nga Qeveria e Serbia në vitin 2013.
Dygjuhësia në Bujanoc dhe Preshevë, komuna ku shqiptarët përbëjnë shumicën, garantohet edhe me Ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhëve dhe shkrimeve.
Neni 11 i këtij ligji përcakton se njësia e vetëqeverisjes lokale detyrimisht me statutin e saj do të fusë në përdorim zyrtar dhe të barabartë gjuhën dhe shkrimin e pakicës kombëtare nëse përqindja e pjesëtarëve të asaj pakice kombëtare në numrin e përgjithshëm të banorëve në atë komunë arrin në 15 për qind, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë, jo më vonë se 90 ditë nga data e përcaktimit të kushteve të përcaktuara me ligj.
Kjo do të thotë se në territoret e vetëqeverisjeve të tilla lokale, emërtimet e organeve që ushtrojnë kompetenca publike, emërtimet e njësive të vetëqeverisjes lokale, vendbanimet, sheshet dhe rrugët dhe toponimet e tjera shkruhen edhe në gjuhën e pakicës përkatëse, sipas traditës dhe drejtshkrimit të saj.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *