KAMBERI: BËRNABIQ NA POROSITË QË TË JEMI FATLUM SE JEMI GJALLË

Bujanoc, 30. gusht 2023. Deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, thotë se kryeministrja serbe Ana Brnabiq, nga Forumi Strategjik në Bled, në të vërtetë u ka thënë shqiptarëve në Serbi “mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim”.
Siç thotë Kamberi, mesazhi i kryeministrit është se shqiptarët në Luginën e Preshevës “kanë të drejta” sepse askush nuk i “vret”, ndërsa serbët në Kosovë nuk i kanë.
“Kjo është vazhdimësi e politikës zyrtare të Serbisë me standarde të dyfishta në raport me minoritetet dhe mohimin e të drejtave elementare të pakicave në territorin e saj, ndërsa tenton të ndërtojë standarde për pakicën e saj në Kosovë që nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër”, thotë Kamberi.
Sipas tij, nuk janë të vërteta pretendimet e kryeministres se “askush nuk shtie mbi shqiptarët në Luginën e Preshevës”, në fakt faktet flasin ndryshe.

– Vetëm në periudhën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, në komunën e Preshevës, territor nën kontrollin absolut të forcave të sigurisë serbe, janë vrarë 11 civilë shqiptarë, për të cilët askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Janë 13 civilë të tjerë të vrarë në komunën e Bujanocit në vitin 2000. Qindra shqiptarë të tjerë janë keqtrajtuar, rrahur dhe grabitur nga forcat e sigurisë serbe dhe askush nuk është dënuar për këtë – thotë deputeti.
Ai shtoi se në vitin 2003 dhe 2009, për të krijuar një situatë të pasigurisë së përgjithshme, me akuza të rreme për “terrorizëm dhe krime lufte” u arrestuan dhjetëra shqiptarë, të cilët pasi u mbajtën në paraburgim për muaj e vite, u shpallën të pafajshëm.
– Kur bëhet fjalë për të drejtat që garantohen dhe gëzohen, situata është krejtësisht ndryshe nga ajo që pretendon Bërnabiq. Serbia është ende i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku përdorimi publik i simbolit kombëtar është i ndaluar me ligj. Serbia është vendi me pjesëmarrjen më të ulët të minoriteteve në jetën publike dhe vendimmarrje, për shkak të politikës diskriminuese që zbatohet me dekada. Në administratën shtetërore, institucionet publike, organizatat me interes të veçantë për qytetarët, pjesëmarrja e shqiptarëve është ose simbolike ose inekzistente – thotë ai.
Ai po ashtu thotë se Serbia udhëhiqet nga logjika e vjetër, e cila i sheh pakicat, veçanërisht shqiptarët, si “armiq të shtetit”.
“E njëjta Serbi që pengon integrimin e barabartë dhe proporcional të pakicave në territorin e vet, i detyroi serbët të largohen nga institucionet në Kosovë”, thotë Kamberi.
Ai vuri në dukje se shqiptarët në Serbi përballen me gjuhën e urrejtjes, racizmin dhe ksenofobinë në jetën e tyre të përditshme dhe se ata asnjëherë nuk sulmuan autoritetet e zbatimit të ligjit e as nuk ngritën barrikada për të penguar lëvizjen e lirë.
– Nga ana tjetër, serbët në Kosovë përdorën të gjitha mjetet për të destabilizuar veriun e Kosovës. Pasojë e filozofisë politike të projektit “Bota Serbe”. Serbia po punon për të kontrolluar të gjithë serbët në rajon, jo për të ndikuar në vendosjen e marrëdhënieve me ato vende, por për të demonstruar fuqinë e saj destabilizuese në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Synim destruktiv me pasoja destabilizuese – thotë Kamberi.
Shteti dhe kryeministrja me vlera europiane, thotë ai, duhet të kishin folur ndryshe.
-Mendimet politike ndaj shqiptarëve këtu janë ende të njëjta si para luftërave ballkanike. Znj. Brnabiq: Pse nuk e keni vizituar një herë Batajnicën dhe vendet e tjera në Serbi ku kishte varreza masive të shqiptarëve? – pyeti Kamberi.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *