MISIONI I PAMUNDUR I TË RIUT,NEVZAD LUFIU, DO TË TENTOJ TA BËJË ATË QË NUK IA DOLI AS KURTI

Bujanoc, 14. nëntor 2023. Nevzad Lutfiu, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), do të përpiqet të bëjë atë që nuk e bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Lutfiu mori mbi vete rolin mesianik të pajtuesit të “brirëve në thes” nga partitë që tubojnë shqiptarët, për të bindur liderët e tyre të kapërcejnë intrigat dhe keqkuptimet e tyre personale dhe të bëjnë një paraqitje të unifikuar në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit, e cila është e vetmja garanci që ky komunitet të ketë përfaqësues në Parlamentin e Serbisë.
Për këtë arsye ai i ftoi të gjithë në zyrën e tij në Bujanoc, që në orën 15:00 të pajtohen për një listë të përbashkët.
Njohësit e situatës, megjithatë, nuk besojnë se një i ri si Lutfiu do t’ia delë mbanë qëllimit të tij, por vlerësojnë se në këtë mënyrë ai po përpiqet të promovohet në komunitetin e tij si unifikues, kështu që nëse rastësisht ia del mbanë në këtë , ka pikë të mira politike për të dhe për Lëvizjen e progresit demokratik, të cilës i përket.
Misioni i tij mund të quhet lehtësisht i pamundur, veçanërisht nëse dihet se antagonizmat mes dy partive më të mëdha, PVD-së së Shaip Kamberit dhe Alternativës për Ndryshim të Shqiprim Arifit, mund të krahasohen me atë midis Izraelit dhe Palestinës, sikur që edhe nga koalicioni mbarëshqiptar në Bujanoc nuk ka mbetur “gur mbi gur”. Ndërkohë që Nevzad Lutfiu sigurisht që nuk është Ethan Hunt.
Tashmë të gjithë ata njerëz duhet bindur se strehimi i tyre nën ombrellën kombëtare është më e rëndësishme se armiqësitë personale, të cilat, thënë thjesht, redfukohen në atë se kush do të jetë i pari në atë listë të përbashkët, ende imagjinare, e cila është kafshatë tepër e madhe për dikë që kryesimi i KKSH-së, është funksioni i parë politikë, në të cilën erdhi pas kompromisesh të shumta shantazhuese.
Ju kujtojmë, dhe kemi shkruar disa herë për këtë, se shqiptarët në zgjedhjet e 2020, kur shkuan në një kolonë, fituan 3 mandate, ndërsa herën e kaluar, me dy lista, vetëm Shaip Kamberi kaloi në parlament përmes vrimës së gjilpërës.
“Ultimatumi” i PVD-së i javës së kaluar, me të cilin të gjitha partitë shqiptare kishin kohë deri të shtunën e kaluar për të deklaruar nëse janë dakord për një listë të vetme që do të drejtohet nga Kamberi, duket se për momentin nuk ka dhënë rezultatin e pritur ngase Alternativa këmbëngul që njeriu i saj të jetë numri 1, duke iu referuar marrëveshjeve të mëparshme.
Nuk ka nevojë të jesh një ekspert i madh politik për të arritur në përfundimin se “zjarri ka përfshirë edhe thonjtë” dhe se koha për të dorëzuar listën po mbaron në mënyrë të pamëshirshme.
Në fund të fundit, Lutfiu mund të dalë nga kjo situatë me ose në mburojë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *