PËR PENSIONISTËT QËNDRIMI FALAS NË QENDRA REHABILITUESE, FILLON APLIKIMI

Bujanoc, 9. janar 2024. Pensionistët në Serbi, pensioni i të cilëve nuk i kalon 39,850 dinarë, kanë të drejtën e rehabilitimit falas në entet shëndetësore-spitalore dhe rehabilituese, në kohëzgjatje prej 10 ditësh, njoftoi fondi SPI. Vlerësohet se rreth 21 mijë pensionistë, sipas konkursit të këtij viti, do të shkojnë për qëndrim falas.
Pensionistët mund të aplikojnë nga data 9 deri më 25 janar dhe një nga kushtet që duhet të plotësojnë është që të kenë vendbanim në territorin e Serbisë.
Të drejtën e aplikimitnë shpallje kanë të gjithë përfituesit e pensionit të cilët përveç pensionit deri në 39.850 dinarë, nuk kanë të ardhura tjera personale dhe që nuk kanë shfrytëzuar rehabilitimin që nga viti 2020, kur edhe u fillua me këtë program. Po ashtu, mund të aplikojnë edhe pensionistët që e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë përmes zbatimit të rregulloreve vendore dhe që marrin pension nga jashtë, me kusht që shuma e tyre të mos kalojë 39.850 dinarë.
Duke marrë parasysh fondet e alokuara dhe çmimet mesatare në vendpushimet e banjës për këtë vit, vlerësohet se më shumë se 21.000 pensionistë do të shkojnë në një nga llixhat në Serbi për shërim falas sipas konkursit të këtij viti, që është numri më i madh deri më tani.
Me aplikim duhet të paraqiten: çeku i pensionit; vërtetimin e masës së pensionit nga jashtë; një aplikim të plotësuar me një deklaratë, në formularin e përcaktuar, ku dëshiron të përdorë rehabilitimin, se përveç pensionit përdoruesi nuk ka të ardhura të tjera personale, se nuk ka përdorur rehabilitim sipas shpalljeve nga viti 2020 deri në vitin 2023; Deklaratë se autorizon Fondin Republikan për Sigurimin Pensional dhe Invalidor që në emër dhe në llogari të tij të lidhë kontratë për bashkëpunim biznesi me institucionin në të cilën do të ushtrojë të drejtën e rehabilitimit dhe dokumentacionin mjekësor në dispozicion, nëse përdoruesi e ka atë.
Fondi përballon shpenzimet e akomodimit dhe të udhëtimit për shoqëruesit e përfituesit që ka ushtruar të drejtën e ndihmës dhe kujdesit ndaj një personi tjetër dhe në raste të tjera të jashtëzakonshme.
Lista e përfituesve publikohet në ditën e 24-të të punës nga dita e skadimit të shpalljes. Kundërshtimi i listës mund t’i paraqitet komisionit kompetent brenda pesë ditëve pune nga data e publikimit të listës së renditjes në tabelën e shpalljeve.
Komisioni është i detyruar të shqyrtojë ankesat e paraqitura, të informojë ankuesit dhe të përcaktojë renditjen përfundimtare të atyre që kanë ushtruar të drejtën e rehabilitimit. Lista e pensionistëve që do të mund të shërohen me shpenzimet e Fondit SPI është publikuar edhe në tabelat e shpalljeve të organizatave të përfituesve të pensioneve, përkatësisht Federatës së Pensionistëve të Serbisë dhe Shoqatës së Pensionistëve të Serbisë “Nezavisnost” si dhe Drejtorisë së Fondit, Fondit krahonor dhe ekspoziturave të Fondit.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *