KAMBERI NË KUVENDIN E SERBISË, PROPOZON LIGJIN MBI TË DREJTAT E PAKICAVE

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 25. korrik 2023. Deputeti i Bujanocit, Shaip Kamberi, ka dorëzuar të hënën në Kuvendin e Serbisë propozimin për Ligjin mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare. Kamberi thotë se me këtë ligj do të përmirësohen të drejtat e pakicave dhe se kushdo që i shkel ato do të dënohet.

Sipas tij, projektligji përmban dispozita themelore për përmirësimin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive në përputhje me standardet më të larta.

Ndërprerja e diskriminimit, përmirësimi i të drejtave individuale dhe kolektive, krijimi dhe përmirësimi i pozitës së këshillave kombëtare, janë disa nga risitë që parashikon ky propozim në krahasim me ligjin aktual të miratuar në vitin 2002. Risi e veçantë e këtij propozimi ligjor janë dispozitat ndëshkimore për ata që nuk respektojnë normat e ligjit, krahasuar me ligjin aktual, i cili nuk përmban fare dispozita ndëshkimore, që do të thotë se respektimi i të drejtave të pakicave praktikisht është lënë në mëshirë dhe disponimin politik të pushtetit qendror”, thotë Kamberi.

Pikat kryesore që përmban ky propozim, i cili u dërgua sot në parlament, janë:

• Ruajtja e identitetit, traditës dhe veçantive;
• Të drejtat në arsim – me të drejtën e krijimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe domosdoshmërinë që në tekstet shkollore të historisë, artit e kulturës së paku 50% e lëndës të jetë nga histroia e kultura kombëtare e pakicave;
• Të drejtën e patjetërsueshme të përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit;
• Të drejtën e pakufizuar të përdorimit të simboleve kombëtare;
• Të drejtën për përfaqësim proporcional dhe adekuat në gjyqësor;
• Të drejtën për përfaqësim adekuat e proporcional në organet shtetërore;
• Të drejtën e pakontestueshme për bashkëpunim me shtetin amë;
• Krijimin e Fondit të veçantë për zhvillimin e komunave të pazhvilluara;

Edhe këtë herë propozimin e Kamberit e kanë përkrahur dy deputetë të SDA Sanxhakut dhe një deputet i pakicës ukrainase.

Garanci për zbatimin e tij duhet të jenë masat ndëshkimore, burgimi dhe gjoba në para, për ata që nuk respektojnë këtë ligj në rast të miratimit të tij”, thotë Kamberi.

Në 5 muajt e fundit ky është propozimi i tij i tretë për ndryshimin e ligjit.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *