PËR BUJANOCASIT QË SHKOLLOHEN NË VRANJË NUK KA RIMBURSIM PËR SHPENZIMET E UDHËTIMIT

Bujanoc, 5. shtator 2023. Për nxënësit nga Bujanoci që vijojnë shkollën e mesme në Vranjë, këtë vit nuk ka zbritje për biletat mujore që deri më tani i jepte qyteti i Vranjës. Vitin e kaluar bileta mujore për nxënësit nga Bujanoci ishte 3200 dinarë, ndërsa këtë vit prindërit duhet të ndajnë, siç thonë ata, 8200 dinarë.
Prindërit nga Bujanoci janë të interesuar se pse sivjet fëmijët ndahen në ata që jetojnë në Vranjë dhe ata që jetojnë në komunën e Bujanocit, edhe pse në të dyja rastet nxënësit i vijojnë mësimet në Vranjë. Përgjigje nuk morën as në agjensinë e udhëtimit Kavim – Jedinstvo.
Sllagjan Petroviq nga Bujanoci ka dy gjimnazistë që ndjekin Shkollën e Mesme Veterinare në Vranjë ndërkaq për këtë vit duhet të ndajë edhe 10 mijë dinarë shtesë në muaj për shpenzimet e udhëtimit.
– Vitin e kaluar kam paguar 6.060 dinarë në muaj për dy bileta, ndërsa këtë vit më duhet të ndaj rreth 16.000 dinarë në muaj. Nëse kësaj i shtojmë edhe paratë për ushqim, të cilat do të jenë të paktën edhe po aq sa shpenzimet e udhëtimit, do të thotë se një pagë e plotë minimale në muaj shpenzohet vetëm për transport dhe ushqime – thotë Petroviq.
Personi në fjalë është telefonuar nga kujdestari i klasës nga shkolla dhe i ka thënë se shumë prindër janë të pakënaqur me situatën e re dhe se janë duke u përgatitur për një protestë para administratës së qytetit në Vranjë.
Zbritja e dhënë nga Kavim Jedinstvo është ende e vlefshme, por zbritja e qytetit të Vranjës është anuluar për nxënësit jashtë komunës së Vranjës.
“Për fëmijët tanë këtë vit vlenë vetëm 40 për qind e zbritjes së mujores e dhënë nga Kavim Jedinstvo, ndërsa për nxënësit që jetojnë në Vranjë vlenë zbritja 40 për qind e dhënë nga Kavim Jedinstvo dhe 20 për qind zbritje e dhënë nga qyteti i Vranjës – thotë për portalin tonë një grua nga Bujanoci.
Vitin e kaluar shkollor, kjo grua nga Bujanovi ka paguar 3200 dinarë për biletën mujore të fëmijës së saj, ndërsa këtë vit, thotë ajo, do të paguajë 8200 dinarë.
Për prindërit e nxënësve nga Bujanoci do të ishte më e lehtë nëse Komuna e Bujanocit në një farë mënyre do t’i ndihmonte nxënësit që ndjekin shkollat e mesme në Vranjë.
Mirëpo, ata nuk marrin kompensim për shpenzimet e udhëtimit nga komuna e Bujanocit, ndërsa nxënësve që vijojnë shkollën e mesme në Bujanoc dhe Preshevë u kompensohet 50 për qind e shpenzimeve të transportit.
Zyrtarë në Komunë thanë më herët për portalin tonë se nuk varet nga ata, por nga Trupi Koordinues, i cili përcakton se kujt do t’i rimbursohen një pjesë e parave për transport.
“Trupi koordinues përcakton se për cilat shkolla do të paguajmë një pjesë të transportit, që janë shkolla nga territori i komunës së Bujanocit dhe Preshevës, sepse ato e mbulojnë zonën tonë dhe ne duhet ta respektojmë atë”, tha Fejzi Beqiri, kryeshef i Drejtoratit për shërbimet publike në Bujanoc.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *