PAGA MINIMALE NË SERBI NUK I MBULON AS NEVOJAT ELEMENTARE: MEZI MBIJETOJMË

Bujanoc, 9. tetor 2023. Paga minimale prej 47 mijë dinarë në Serbi, që do hynë në fuqi nga janari, nuk do të mjaftojë as për shportën minimale të konsumatorit ndërsa bujanocasit nuk mund ta paguajnë shportën konsumatore të qytetarit mesatar me pagën e tyre mesatare zyrtare, e cila herën e fundit ishte sa rreth 100.000 dinarë.
Në komunën e Bujanocit, paga mesatare neto në qershor të këtij viti ishte 60.340 dinarë, sipas të dhënave zyrtare të Entit statistikor republikan (ESR), që është për 25.000 më pak se mesatarja zyrtare kombëtare prej 85.539 dinarë për muajin qershor.
Kjo shumë nuk mjafton për të mbijetuar muajin, thonë bashkëqytetarët tanë.
– Paga ime është 45.000 dinarë, dhe kur i paguaj faturat, më mbetet gjysma për jetesë, kështu që ju llogarisni se çfarë mund të blej me ato para dhe si mund ta ushqej familjen time. Rroga e burrit, që është edhe ajo minimale, shkon për fëmijët, sepse kemi dy nxënës dhe po e shlyejmë edhe kredinë. Nuk mund të hamë parisier çdo ditë – thotë një bujanocase.
Një tjetër banor i Bujanocit, i cili përveç punës në ndërmarrje punon edhe privatisht për të ushqyer familjen, thotë se as ato dy rroga nuk i mjaftojnë për të jetuar me dinjitet.
– Gruaja ime nuk punon, ndërsa jemi katër veta në familje. Sot të shkosh në pub është kthyer në një luks, për të mos folur për pushimet. Gjithçka është shtrenjtuar aq shumë ndërsa çmimet po rriten vazhdimisht, andaj nuk e di se sa ty “shtyej” muajin em atë që fitoj – thotë bashkëqytetari ynë.
Dita botërore e punës së denjë u festua të shtunën ndërsa Qendra për Demokraci thekson se pagat duhet të ndjekin kostot reale të jetesës së qytetarëve, për të pasur një jetë dinjitoze. Lëvizja “Zemra” konstatoi se punëtorët po e humbin betejën me inflacionin dhe besojnë se “ekonomia e parizerit” dhe kartat e pensionit nuk do ta zgjidhin problemin.
Fondacioni Qendra për Demokraci (FCD) rikujton se të drejtat që lidhen me punën janë pjesë përbërëse e korpusit të të drejtave të njeriut dhe se ato duhet të respektohen dhe mbrohen në të njëjtën mënyrë.
“Rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe normat e larta të inflacionit, rritja e çmimeve të energjisë dhe rritja e taksave të akcizës çojnë në një rënie të mëtejshme të standardit të jetesës, kjo është arsyeja pse një numër i madh punonjësish, veçanërisht ata me të ardhurat më të ulëta, nuk mund të plotësojnë as nevojat themelore ekzistenciale,” thonë nga FCD.
Ata shtojnë se dialogu social në shoqëri është relativizuar, ndërsa Qeveria ka marrë vendim për pagën minimale prej 47.154 dinarë për vitin 2024, e cila tashmë është dukshëm më e ulët se edhe shporta minimale e konsumatorit prej 52.155,31 dinarë, e sidomos shporta mesatare e konsumatorit e cila arrinë në 100,003,77 dinarë, sipas të dhënave për qershor 2023.
“Pagat minimale duhet të ndjekin kostot reale të jetesës, për t’u siguruar punëtorëve dhe familjeve të tyre një jetë dinjitoze dhe për të reduktuar rreziqet e thellimit të varfërisë kërcënuese në Serbi,” shpjegon FCD.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *