GJITHÇKA MBI DHUNËN MES BASHKËMOSHATARËVE: NË LABIRINTIN E REAGIMIT TË VONUAR DHE LIGJEVE TË SHKELURA NGA KOHA

Autorët: Južne vesti, OzonPress, Glas Šumadije, Bujanovačke
*Nevoja e qytetarëve në jug të Beogradit është të kenë rrjetin e tyre kombëtar. Ky tekst është produkt në kuadër të iniciativës së shtëpive mediatike Bujanovačke, Južne vesti, Ozonpress dhe Glas Šumadije.
Bujanoc 18. tetor 2023. (Foto Bujanovaçke) – Edhe pse këtë vit shkollor në Bujanoc nuk ka pasur dhunë mes nxënësve, me përjashtim të disa konflikteve që u zgjidhën shpejt, shkollat pohojnë se vazhdimisht po punojnë në edukim dhe parandalim.
Mirëpo, në janar të vitit 2020, dy ish-nxënës të shkollës fillore “Branko Radiçeviq” rrahën një nxënës të klasës së 8-të (shih foton e ballinës së tekstit), dhe problematike në atë rast, përveç dhunës, ishte se si sulmuesit hynë të papenguar në hyrjen kryesore të shkollës, shkoi në klasë dhe sulmuan nxënësin gjatë një pushimi të shkurtër, ku në atë moment ndodheshin polici shkollor, mësuesit kujdestar dhe personeli ndihmë, dhe pse askush nuk i njoftoi prindërit e nxënësit se kishte ndodhur dhunë ndaj birit të tyre.
Drejtoresha e shkollës nuk kishte përgjigje për këto pyetje, por tha se Ekipi i shkollës për Parandalimin e Diskriminimit, Dhunës, Abuzimit dhe Neglizhencës “do të merret me rastin”.
Sipas autoriteteve, dhuna e bashkëmoshatarëve në shkollën e mesme “Sveti Sava” dhe në shkollën fillore “Branko Radiçeviq” në Bujanoc pothuajse nuk ekziston. Shërbimet psikologjiko-pedagogjike në këto shkolla kryejnë rregullisht aktivitete lidhur me parandalimin e dhunës dhe tani për tani po e parandalojnë me sukses atë.
Sipas pedagoges Snezhana Mishiq, ka ndodhur vetëm një rast në shkollën e mesme “Sveti Sava” që nga fillimi i vitit , i cili ka rezultuar me qortim nga drejtoresha, edhe pse sipas nxënësve ka qenë vetëm shaka. Përkatësisht, disa nxënës të vitit të dytë kanë tentuar ta hedhin shokun e tyre nga dritarja, por mësuesi kujdestar ka reaguar menjëherë dhe të gjithë aktorët e përfshirë në rast janë dënuar me qortim nga drejtori.
– Ne nuk marrim asgjë për shaka dhe, megjithëse nxënësit qeshën dhe thoshin se ishte vetëm një lojë, mirëpo ne si shkollë reaguam dhe i ndëshkuam. Të gjithë duhet vetëm të kuptojnë se shaka të tilla nuk kanë vend në shkollë, ndaj edhe u obliguan për të bërë punë të dobishme komunitare. Pas kësaj organizuam punëtori dhe biseduam me ta, me qëllim që t’i bëjmë të kuptojnë se një shaka e tillë mund të ketë edhe një përfundim tragjik – shpjegon Mishiq.
Siç shton ajo, shkolla arrin të dalë nga korniza e dhunës dhe se ajo është pothuajse inekzistente, pra nuk është në atë masë që do të duheshin disa programe të reja dhe e gjithë kjo është rezultat i një angazhimi të mirë parandalues.
Mishiq beson se parandalimi është kura, dhe për këtë arsye, në punëtoritë që shpesh i mban me nxënës, ajo flet se si ata e shohin tolerancën, respektin dhe mirëkuptimin.
– Ajo që me të vërtetë më befasoi tek nxënësit është fakti se ata njohin parime të rëndësishme në zgjidhjen e konfliktit, d.m.th. ata mësuan si ta njohin konfliktin dhe si t’i qasen siç duhet zgjidhjes së tij – shton Mishiq.
Tatijana Jociq, psikologe në shkollën fillore “Branko Radiçeviq” në Bujanoc, thotë se në këtë shkollë që nga fillimi i vitit shkollor nuk është regjistruar asnjë rast i dhunës së bashkëmoshatarëve.
-Që në fillim kemi punuar për parandalimin. Para së gjithash, duhet të ketë diskutime brenda paraleles, pastaj aktivizimin e fëmijëve përmes aktiviteteve të ndryshme që zhvillojnë bashkëpunimin dhe shoqërimin mes tyre, që është një hap i rëndësishëm drejt marrëdhënieve të mira dhe drejt mungesës së dhunës së tillë – thotë Jociq.
Atë që ajo e thekson në shkollë, siç thotë ajo, është se edhe nëse ka konflikt mes nxënësve, nuk kërkon fajtorin, por për të zhvilluar te fëmijët vetëdijen se kanë bërë një gabim dhe se nuk do ta përsërisin më një gabim të tillë në të ardhmen.
Në jug të largët, në Vranjë, në një periudhë të shkurtër kohore u regjistruan një seri e dhunës mes fëmijëve, rasti i fundit ndodhi në janar të këtij viti, ndërkaq në fillim të shkurtit u krijua e Grupi Punues për luftën kundër dhunës së bashkëmoshatarëve krahas masave të para konkrete për parandalimin e dhunës që u miratuan tre muaj më vonë.
NISH: Vrasja në Banjën e Nishit trazoi Serbinë
Që nga fillimi i vitit, janë 130 kërkesa nga shkollat fillore të Nishit në adresë të Qendrës për Punë Sociale për t’u përfshirë në zgjidhjen e problemit të dhunës së bashkëmoshatarëve, ndërsa fillimi i tetorit u karakterizua edhe nga tragjedia në banjën e Nishit, me ç’rast djaloshi 13 vjecar ka vrare nje bashkemoshatar dhe se për këtë nuk do të ndiqet penalisht. Në vitin 2011, Aleksa Jankoviq kreu vetëvrasje për shkak të dhunës së bashkëmoshatarëve ndërkohë që “Ligji i Aleksës” për ndëshkim më të rreptë të dhunuesve dhe atyre që e mbulojnë atë, e shkeli koha. Një seri dhune në mesin e nxënësve të shkollave fillore ka ndodhur kohët e fundit edhe në rrethin e Pçinjës, në Shumadi ka pasur 59 raste që nga fillimi i vitit, dhuna digjitale është gjithashtu e shpeshtë, teksa një anketë në Çaçak ka treguar se çdo i shtati nxënës nuk ndjehet i sigurt në shkollë.
Që nga maji i vitit 2023, kur ndodhën tragjeditë në Serbi, në Qendrën e Nishit janë adresuar 59 shkresa, ndërsa nga fillimi i këtij viti shkollor 22. Numri i denoncimeve është rritur në krahasim me vitin 2021, kur Qendra ka pranuar 101 shkresa.
– Është e qartë se numri është në rritje, por jo e gjitha është detyrimisht dhunë e bashkëmoshatarëve. Qendra është e përfshirë në çdo korrespondencë, duke përfshirë dyshimet për neglizhencë, probleme në familje, mosrespektim të autoritetit… Megjithatë, vërehet se pjesa më e madhe prej 130 korrespondencash i referohen dhunës së bashkëmoshatarëve – thonë nga Qendra për Punë Sociale.
Më 5 tetor, një 13-vjeçar vrau një bashkëmoshatar në banjë të Nishit. Ai nuk do të përgjigjet penalisht për atë vepër sepse nuk i ka mbushur 14 vjet dhe siç shpjegon avokati Marko Kërstiq, në atë rast nuk mund të flitet as për vepër penale sepse Ligji as që e përdor atë term. Sipas ligjit, i mituri nuk do të përgjigjet për “veprim të kundërligjshëm të cilësuar me ligj si vepër penale”.
– Ndaj këtij personi, fëmijës, do të veprohet para së gjithash nga këndvështrimi i zbatimit të rregullave të mbrojtjes sociale ose zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara mendore, varësisht nëse ka pasur apo jo rrethana që e kanë komprometuar gjendjen e vetëdijes, të kryerjes së vperës së kundërligjshme, të cilësuar me ligj si vepër penale – thotë Krstiq.
Për sa u përket prindërve të djalit, nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ngjarjen tragjike, por ata mund të mbajnë përgjegjësi.
– Ata mund të jenë përgjegjës si kundërvajtje ose vepër penale – nëse sjellja e fëmijës lidhet drejtpërdrejt me neglizhencën e mundshme, mosarsimimin ose vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e krimit – shpjegon avokati.
Bojan Jankoviq, babai i djalit Aleksa Jankoviq nga Nishi, i cili ishte viktimë e dhunës së bashkëmoshatarëve, që solli deri te vetëvrasja në vitin 2011, thotë se sistemi nuk ka funksionuar që atëherë.
– Në luftën e pakompromis kundër dhunës, të gjithë kërkojnë kompromis – kështu nuk do të ketë zgjidhje. Të gjitha rastet ekstreme të dhunës janë rezultat i një reagimi joadekuat të shoqërisë dhe sistemit. Ne personalisht e kemi përjetuar “labirintin arsimor” – duke bredhur, të kërkosh reagimin e dikujt, por askush nuk e bën punën e vet – thotë Jankoviq.
Prindërit e Aleksit kishin paralajmëruar më herët se mungesa e reagimit do të çonte në raste të reja dhe gjithnjë e më të rënda dhune. Bojan Jankoviq thotë se tashmë është evidente se dhuna e bashkëmoshatarëve është shndërruar në krim të rëndë, ndonjëherë edhe në akt sadist.
Dhuna e bashkëmoshatarëve ka tejkaluar gjithashtu grupin e ligjeve që parashikonin ndëshkim më të rreptë të dhunës së bashkëmoshatarëve dhe atyre që e mbulojnë atë, të njohur më mirë si “Ligji i Aleksës”, beson Jankoviq. Ndonëse ka njoftime se pezullimi i nxënësve nga shkolla do të hyjë së shpejti në procedurë ligjore, nuk ka të dhëna se do të shqyrtohet fare heqja e licencës së zyrtarëve të shkollës dhe drejtorit, si dhe ndalimi i punës në arsim.
Qeveria e Serbisë ka lansuar platformën “Unë po ju mbroj” ku fëmijët mund të raportojnë çdo formë dhune. Së fundmi në Nish është hapur një Qendër Këshillimore për fëmijët viktima të dhunës dhe është paralajmëruar se telefonat SOS për ndihmë dhe përkrahje nga profesionistët së shpejti do të jenë në dispozicion për të gjithë fëmijët nga jugu që vuajnë çdo formë dhune.
KRAGUJEVC: Zgjidhjet në shkolla zakonisht reduktohen në reagime burokratike
Boris Herman, Pedagogu special nga Qendra për Inovacion dhe Integrim Social, konfirmon se në Kragujevc ka raste të dhunës së bashkëmoshatarëve, por që opinioni mëson për to vetëm nëse ka apel nga prindërit në rrjetet sociale për zgjidhjen e problemit të dhunës mes bashkëmoshatarëve ose kur dhuna në një shkollë shfaqet para opinionit përmes video xhirimeve.
Rastet që nuk arrijnë te publiku shpesh zgjidhen në nivel shkolle dhe shumë rrallë arrijnë në polici.
– Mendimi im është se ky problem përgjithësisht diskutohet vetëm kur publiku është i shqetësuar dhe se zgjidhja konkrete reduktohet ekskluzivisht në reagime burokratike në formën e plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm dhe plotësimit të protokolleve të caktuara – thotë Herman.
Shefi i Departamentit të Policisë në Kragujevc, Vladimir Shebek, tha se që nga fillimi i vitit janë raportuar 59 raste ndërsa Herman thotë se dhuna e bashkëmoshatarëve duhet të dallohet nga format e tjera të dhunës dhe se karakteristikat e saj kryesore janë se ajo synon në radhë të parë për të dëmtuar dikë, përsëritet gjatë një intervali të caktuar kohor dhe viktima është shumë më e dobët se dhunuesi.
– Në raste të shpeshta ndodhë që çdo lloj dhune mes fëmijëve shpesh gabimisht quhet dhunë e bashkëmoshatarëve. Rritja e fëmijëve, duam apo nuk duam ta pranojmë, përshkohet nga konflikte dhe mosmarrëveshje reciproke me moshatarët e tyre. Sjellja agresive, si fizike ashtu edhe verbale, është shumë shpesh e pranishme – thotë Herman dhe shpjegon se jo çdo konflikt i dhunshëm mes fëmijëve mund të quhet dhunë e bashkëmoshatarëve.
Dhuna e bashkëmoshatarëve nuk duhet të jetë vetëm fizike. Dhuna verbale, shpjegon Herman, shfaqet përmes ofendimeve verbale, talljeve, përhapjes së thashethemeve, përjashtimit social të individëve që nxitet nga bashkëmoshatarët më të “fortë”. Së fundi, ekziston dhuna digjitale që mund të shkaktojë pasojat më të rënda.
Psikologia Anastasija Deliq kujton se ajo që mund të ndikojë në dhunën e bashkëmoshatarëve është mungesa e ndjeshmërisë dhe fëmijët mësojnë se çfarë do të thotë ky term vetëm më vonë, diku në shkollën e mesme.
– Më pas vjen shfaqja e prindërve të parealizuar që ua përcjellin dëshirat e tyre të parealizuara fëmijëve dhe këtu lind konkurrenca dhe dëshira për t’u bërë dikushi. Nga ana tjetër, ka prindër që nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur fëmijëve të tyre dhe bëhen ata “fëmijë të liruar” që nuk kanë mbështetje të caktuar në zhvillimin e tyre dhe nuk janë të drejtuar se si duket sjellja morale dhe e mirë. Shkak mund të jetë edhe mungesa e vetëbesimit dhe e vetëvlerësimit: “Nëse nuk kam vetëbesim të mjaftueshëm, do të përdor pushtetin, fuqinë e marr me agresion”, thotë Deliq.
ČACAK: Çdo i shtatë nxënës nuk ndihet i sigurt në shkollë
Një anketë e fundit e kryer në mesin e të rinjve shkollorë në 16 shkolla fillore dhe 6 të mesme në territorin e Çaçakut, tregoi se çdo i shtati nxënës nuk ndihet i sigurt në shkollë, 7% deklarojnë se vetëm ndonjëherë ndihen të tillë, ndërsa 6% e nxënësve kurrë nuk ndjehen të sigurt.
Nxënësit deklarojnë se incidentet e dhunshme më së shpeshti kanë ndodhur në oborrin e shkollës gjatë pushimit (8.9%), në klasë derisa mësuesi ishte larg (6.9%), pasuar nga incidentet në tualete (2.9%). Një e treta e nxënësve të klasës së shtatë dhe të tetë deklarojnë se vunë re se dikush po sillte një thikë ose armë në shkollë, nga të cilët 9.3% thonë se diçka e tillë ka ndodhur më shumë se një herë, madje 3.6% pretendojnë se ndodh shpesh. Një e treta e nxënësve të shkollave të mesme u përgjigjën se vunë re se dikush sillte objekte të rrezikshme në shkollë (nga të cilët 8.1% thanë se ndodhte shpesh, 8.3% thanë se ndodhte më shumë se një herë).
Të dhënat janë shqetësuese, por ajo që më shqetëson më shumë është fakti se fëmijët rrallë e raportojnë dhunën sepse kanë frikë nga dënimi dhe hakmarrja e dhunuesit ndërsa shkollat fshehin dhunën nga frika e mediave ndërsa që nga fillimi i këtij viti shkollor tashmë janë regjistruar disa incidente, historia e të cilave futet nën tapet dhe mbulohet.
Në tre shkolla fillore, nxënësit kanë sjellë thika me qëllim kërcënimi, e ndoshta edhe t’i përdorin. Në lidhje me të tri rastet, opinioni nuk ishte i informuar nëse ka protokoll për veprimet e Drejtorisë së Shkollës, Policisë, Qendrës për Punë Sociale dhe autoriteteve shkollore.
– Kishte vetëm lutje: “Mos publikoni se do të pësojë shkolla”. Kishte edhe kërcënime se prindërit e fëmijëve, që erdhën në shkollë të armatosur me thika, do të bëjnë padi kundër gazetarëve dhe redaksive që e publikojnë rastin – thonë gazetarët e OzonPress.
Dhuna dixhitale mes bashkëmoshatarëve gjithnjë e më e shpeshtë
Snezhana Mishiq, mësuese në gjimnazin “Sveti Sava” në Bujanoc, thotë se shumica e nxënësve të shkollave të mesme përjetojnë edhe dhunën digjitale, duke besuar se nxënësit e njohin dhunën dhe rreziqet, por nuk dinë si të përgjigjen dhe si të mbrohen.
– Të gjitha këto janë kurthe në të cilat nxënësit mund të bien pa e ditur. Ajo që ra në sy si e rëndësishme ishte se ata nuk dinin se kujt t’i drejtoheshin kur bien në grackën e dhunës digjitale, prandaj vendosëm të ndërgjegjësojmë nxënësit për abuzimet e mundshme përmes seminareve informative dhe edukimit për mekanizmat mbrojtës – thotë Snezhana Mishiq.
Pedagogu i Kragujevcit Boris Herman gjithashtu pajtohet se dhuna digjitale mund të shkaktojë pasojat më të rënda.
-Me dhunë digjitale nënkuptojmë abuzimin përmes rrjeteve sociale me qëllim nënçmimin e individëve nga grupi i bashkëmoshatarëve, përhapjen e thashethemeve, përhapjen e materialeve komprometuese, shantazhet e të ngjashme. Dhuna digjitale është e rrezikshme sepse shpesh është e padukshme dhe vetëm dhunuesi dhe viktima e dinë për të. Fëmijët nuk dinë të reagojnë, nuk kanë kujt t’i ankohen, mbyllen në vetvete dhe në situata të tilla mund të fitojnë probleme të ndryshme psikologjike, për pasojat e të cilave mund të flasim gjatë – thotë Herman.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *