EDHE ALTERNATIVA E KA KANDIDATIN PËR DEPUTET, KËRKOJNË VENDIN E PARË NË LISTË

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 6. nëntor 2023. Kandidat i Alternativës për Ndryshim për deputet në zgjedhjet e 17 dhjetorit do të jetë Visar Memeti nga Presheva, shefi i kabinetit të kryetarit të kësaj komune Shqiprim Arifi, ka vendosur të dielën kryesia e partisë. Edhe Alternativa bëri thirrje për bashkim të partive politike shqiptare në Bujanoc dhe Preshevë dhe pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare.
Partia e Shqiprim Arifit, megjithatë, insiston në respektimin e marrëveshjes së Tiranës të arritur në vitin 2020, e cila parasheh që kandidatët për deputetë në listën e vetme zgjedhore të renditen në bazë të numrit të vendeve për këshilltarë që partitë kanë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Kjo do të thotë se kandidati i Alternativës duhet të jetë në krye të listës.
Nënkryetari i partisë, Arbër Pajaziti, tashmë ka bërë të ditur se Alternativa nuk do të heqë dorë nga ky parim dhe se për ta është e papranueshme që lideri i listës zgjedhore të jetë kreu i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi.
Bujanovaçke më herët bëri të ditur se Kamberi do të jetë sërish kandidat i PVD-së për deputet, duke bërë thirrje edhe për unitet të shqiptarëve.
“Që nga themelimi i Alternativës për Ndryshim, sinkronizimi dhe koordinimi me Tiranën dhe Prishtinën, si dhe bashkimi i spektrit politik shqiptar në Luginën e Preshevës, ka qenë një nga parimet kryesore të programit politik”, tha Alternativa të dielën.
Siç thanë ata, ky parim politik për herë të parë – pas 30 vitesh, u konkretizua në vitin 2020 me marrëveshjen në Tiranë, e cila bashkoi të gjitha partitë politike në Bujanoc dhe Preshevë për zgjedhjet parlamentare në Serbi.
“Nisur nga kjo, ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare në Luginë në një takim, për të konfirmuar edhe një herë unitetin rreth marrëveshjes në Tiranë duke respektuar të gjitha kriteret e përcaktuara”, sipas Alternativës.
Edhe para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, Alternativa dhe PVD kërkuan bashkimin e partive shqiptare për të marrë pjesë në zgjedhje, por konflikti mes dy rivalëve të mëdhenj politikë për vendin e parë në listë rezultoi në ndarje.
Kështu shqiptarët shkuan në zgjedhje me dy lista, që u pasua me debakël. Të dyja listat morën gjithsej 13300 vota, 50% më pak se lista e vetme në zgjedhjet e vitit 2020. Lista e Alternativës mbeti shumë poshtë cenzusit ndërkaq lista e udhëhequr nga Kamberi fitoi vetëm një mandat parlamentar, pas katër përsëritjeve të votimit në një vendvotim në Tërnoc.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *