MINISTRI I MBROJTJES KËRKON SHËRBIMIN E DETYRUESHËM USHTARAK

Bujanoc, Beograd, 4. janar 2024. – Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq ka njoftuar se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë do të nisë një iniciativë për rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Iniciativa për anulimin e vendimit për pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, pra për riaktivizimin e ligjit për përcaktimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, do t’i dërgohet Presidentit të Serbisë, si komandant i përgjithshëm, dhe më pas përmes një diskutimi më të gjerë në Kuvendin popullor.
Vuçeviç tha në televizionin Happy të mërkurën se Ministria propozon që shërbimi ushtarak të mos zgjasë më shumë se katër muaj. Ai tha se kjo iniciativë është duke u nisur në bazë të vlerësimit të sigurisë në vend.
– Pas 13 vitesh, kemi nevojë për plotësimin e përbërjes rezervë. Së paku 13 breza u larguan nga Forcat e Armatosura, ngase nuk kishte shërbim të detyrueshëm ushtarak. Nevojat tona të sigurisë janë të kemi rekrutë të rinj që janë gjithmonë të gatshëm të ruajnë vendin. Ne i kuptojmë rreziqet e sigurisë. Kjo nuk është vetëm një nevojë karakteristike e Serbisë, shumë vende evropiane e aktivizojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak – tha Vuçeviq.
Duke folur për Ushtrinë, ai tha se është shumë e rëndësishme që me vendim të Qeverisë dhe Presidentit të Shtetit që nga 1 janari, pagat të jenë 10 për qind më të larta dhe se Ushtria e mbyll vitin 2023 shumë më fuqishëm në aspektin e pajisjeve ushtarake dhe nivelin e trajnimit të njerëzve të saj.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *