QEVERIA E KOSOVËS I MUNDËSON SHQIPTARËVE TË BUJANOCIT DHE PRESHEVËS TË BLEJNË PRONA NË KOSOVË

Bujanoc, 24. janar 2024. – Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozimin për ndryshimin e Ligjit për të drejtat pronësore të qytetarëve të huaj në Republikën e Kosovës, i cili do t’u mundësojë shqiptarëve nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja të fitojnë të drejtën pronësore në Kosovë.
-Jemi zotuar që t’i mbështesim bashkëkombasit tanë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe të përmirësojmë pozitën e tyre juridike. Me këtë propozim të Ministrisë së Drejtësisë, qytetarët shqiptarë, gjegjësisht personat fizikë dhe juridikë, do të mund të fitojnë të drejtën pronësore në Kosovë në kushtet e parapara me ligj, duke përjashtuar në këtë rast parimin e reciprocitetit”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton portali Telegrafi.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ligji aktual për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës parasheh që fitimi i pronës nga shtetasit e huaj në Kosovë bazohet në parimin e reciprocitetit.
“Mirëpo, duke pasur parasysh rrethanat dhe mungesën e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, shqiptarët e Luginës e kishin të pamundur të fitonin të drejtën pronësore sipas dispozitave të ligjit në fuqi dhe ishte e pamundur që ata të blinin pronë në Kosovë. Për këtë arsye Ministria e Drejtësisë mori iniciativën për ndryshimin e këtij ligji, i cili do të përjashtojë nga reciprociteti qytetarët e komunitetit shqiptar në Luginë”, tha Haxhiu.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *