NË REFERENDUMIN E MBAJTUR PARA 32 VITESH SHQIPTARËT E BUJANOCIT, PRESHEVËS DHE MEDVEGJËS U DEKLARUAN PËR BASHKIM ME KOSOVËN

Bujanoc, 2. mars 2024. Në këtë ditë të vitit 1992 përfundoi referendumi në të cilin gati 100 për qind e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë udeklaruan për autonomi politike dhe territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Në përvjetorin e referendumit – 32 vjet më vonë, njëri nga politikanët kryesorë në Bujanoc, Shaip Kamberi, thotë se rezultati i referendumit është “shtysa më e madhe në vazhdimin e betejës së përbashkët politike”.
Deputeti dhe kreu i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) Kamberi thotë se referendumi mbetet kthesa më e madhe historike, ndërthurje e guximit të njerëzve dhe vizionit politik.
“Si i tillë, Referendumi simbolizon fillimin e përpjekjeve të shqiptarëve të Luginës për drejtësi dhe barazi. Dhe që atëherë, referendumi i 1 dhe 2 marsit ka qenë shtysa jonë më e madhe në vazhdimin e betejës sonë të përbashkët politike. Udhërrëfyes na mbetet neve dhe brezave që do të vijnë dhe faleminderit të gjithë atyre që me dijen dhe guximin e tyre mundësuan realizimin e këtij akti politik”, thekson Kamberi në njoftimin e tij
Referendumi u zhvillua në dy ditë, më 1 dhe 2 mars 1992, në 75 qendra votimi në ambiente private. Mbi 46.000 votues, ose 98 për qind, votuan pro. Referendumi u shpall shumë i suksesshëm.
Deklarata, megjithatë, nuk u njoh nga shteti në atë kohë dhe as nga bashkësia ndërkombëtare.
Organizimi i referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992 është trashëgimi e dy partive më të vjetra politike që tubojnë shqiptarët e jugut të Serbisë, PVD-së dhe PDSH-së, të cilat dy vjet para mbajtjes së referendumit kishin filluar me organizimin e pavarur politik të shqiptarëve në jug të Serbisë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *