fbpx

U ANULUA VIZITA E MINISTRES KOSOVARE BUJANOCIT

 

Bujanoc 15 dhjetor 2021. – Ministrja e Kosovës Donika Gërvalla nuk do ta vizitojë sot Bujanocin, siç ishte planifikuar ditë më parë, ka konfirmuar për portalin tonë kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KSHK), Ragmi Mustafa. Ai thotë se nuk e di arsyen e anulimit të vizitës, përkatësisht nëse Beogradi e ka penguar një përfaqësues tjetër të Qeverisë në Prishtinë për ta vizituar Bujanocin.

Sipas informacioneve jozyrtare, kësaj radhe nuk ka qenë kështu dhe se ministrja e Punëve të jashtme ka pasur lejen e autoriteteve serbe për ta vizituar Bujanocin.

– Nuk e di vërtet se cila është arsyeja e anulimit të vizitës, apo nëse ministrja ka marrë leje, këtë e dëgjoj tani nga ju. Ajo që mund të them me siguri është se nuk do të ketë vizitë ndërsa ishin planifikuar takime në Komunë dhe Këshillin Kombëtar, si dhe një vizitë në Preshevë – thotë Mustafa.

Duke komentuar, siç tha ai, vizitën e anuluar të zyrtarëve kosovarë, Mustafa thotë se është e qartë se Qeverinë e Serbisë e shqetësojnë vetëm vizitat në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

– Nuk është problem për Qeverinë serbe që ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës po qëndrojnë në Beograd, në kuadër të nismave rajonale. Nuk është problem as kur ministrat e Kosovës janë serbë dhe mund të shkojnë kudo në Serbi, por është problem kur anëtarët e Qeverisë së Kosovës duhet t’i vizitojnë shqiptarët në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë – thotë Mustafa.

Ndryshe, sot institucionet në Prishtinë sërish ia ndaluan drejtorrit të Zyrës për Kosovë të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq që të vizitojë Kosovën, transmeton Tanjug.

Kjo është hera e gjashtë që nga fillimi i vitit që Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë.




Leave a Reply

Your email address will not be published.