fbpx

ALMIRI NGA BUJANOCI, REPREZENTUES I SERBISË: NËSE JE I VYER, ËNDRRAT DO TË BËHEN REALITET

Shkruan: D. Stoshiq

Bujanoc, 25. gusht 2022. I riu, i talentuar dhe lojtari i parë i nacionalitetit rom që luajti për kombëtaren serbe të basketbollit, në Kampionatin Evropian për lojtarë nën 16 vjeç në Maqedoninë e Veriut, Almir Asani nga Bujanoci, kënaqësinë e kësaj loje bashkë me suksesin që e shoqëron atë i gjeti në vendlindjen e tij.

– Të ftohesh në kombëtaren e kadetëve dhe të jesh ndër 12 më të mirët e grupmoshës është një sukses i madh. Unë kam qenë romi i parë që kam pasur sukses. Bashkëlojtarët nga kombëtarja më pranuan mirë – thotë ky 16-vjeçar për Bujanovaçke.

Për këtë bujanocas të talentuar nuk është hera e parë të luajë para tribunave të mbushura, por, siç thotë ai, ndjenja e të luajturit për kombëtaren e Serbisë është e veçantë.

– Në ndeshjen e parë pata shumë drithërima, por me kalimin e kampionatit, gjithnjë e më pak. Në ndeshjen e fundit, kur na duhej më shumë, treguam se jemi një ekip cilësor – thotë Almiri.

Serbia fitoi vendin e 13-të në kampionat dhe mbeti në divizionin A.

Përgatitjet me kombëtaren zgjatën një muaj e gjysmë dhe Almiri ka kujtime të mira nga vetë kampionati.

Ditët e pushimit i kalon në Bujanoc me familjen e tij, para fillimit të detyrave në klubin italian, ndërsa për suksesin e tij me modesti thotë se nuk e ka pritur, por se i vjen mirë që të gjithë krenohen me të.

– Nëse punojmë shumë për veten dhe talentin tonë, do t’ia dalim. Nuk ka rëndësi se nga vini apo çfarë feje apo kombësie jeni. Mjafton të besojmë në ëndrrat tona dhe ato do të realizohen. Më e rëndësishmja për mua është mbështetja e familjes, por jam shumë i lumtur kur shoh që qyteti është krenar për mua – thotë me buzëqeshje Almiri.

Si nxënës i shkëlqyer, ai shton se nuk ka shumë kohë të lirë mes stërvitjeve dhe detyrave në shkollë dhe se çdo moment e shfrytëzon për t’u shoqëruar me shokët apo për të luajtur basketboll.

Ai shpreson, që në të ardhmen të luajë në Serinë A italiane apo në ABA ligë.

Hapat e parë të basketbollit Almiri i hodhi në klubin e Bujanocit “Play 017” dhe në moshën vetëm 12 vjeçare u nis për në Itali.

Me ekipin Oxygen Bassano Del Grappa doli kampion i Italisë në vitin 2019 në garën e djelmoshave të lindur në vitin 2005, për të cilin ka shkruar Bujanovačke.

Ai aktualisht luan në klubin Orange1 Basket Bassano në serinë e artë C.




Leave a Reply

Your email address will not be published.