fbpx

SHBA: SERBËT TË KTHEHEN NË INSTITUCIONE, KURTI TA FORMOJË AKS

Bujanoc, 7 nëntor 2022. Ambasada Amerikane në Prishtinë kërkoi nga serbët e Kosovës që të kthehen në institucione, ndërsa nga qeveria e Kosovës që të shtyjë procesin e riregjistrimit të automjeteve dhe të ndalojë “çdo veprim për të ndëshkuar mbajtësit e targave KM derisa çështja të zgjidhet nga palët përmes dialogu”.

Edhe SHBA-të kërkojnë që obligimet të respektohen pa vonesë, që nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (AKS).

“Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e Brukselit ndërsa Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, gjë që e bën themelimin e tij obligim ligjor për Kosovën. Moszbatimi i vazhdueshëm i këtij obligimi nga ana e Kosovës cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj Ambasade, transmeton Gazeta Express.

Sipas zëdhënëses së ambasadës, mosmarrëveshjet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë potencial për të përshkallëzuar edhe më tej tensionet në terren.

Ambasada thekson se “Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit, në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe se rrezikojnë progresin e dukshëm të bërë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Ambasada amerikane kërkoi nga të dyja palët që të ulin tensionet pa përdorur retorikë nxitëse, të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim.

“Përgjegjësia e të dyja palëve është të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren. Veprime të tilla si djegia e makinave ose retorika e frikësimit janë të papranueshme dhe do të nxisin një përgjigje përkatëse nga komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.




Leave a Reply

Your email address will not be published.