fbpx

SHITËSIT LARGOHEN NGA RRUGICAT RRETH TREGUT

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 31. korrik 2023. Në një aksion madhë të inspeksionit komunal të hënën, të gjithë shitësit ambulantë janë larguar nga rrugicat e Bujanocit dhe janë drejtuar për në tregun e qytetit. Shitësit iu ndalua të ekspozojnë mallrat në rrugë nën kërcënimin e gjobës prej 5.000 deri në 10.000 dinarë. Kryeshefi i inspeksionit komunal, Metin Ramizi, i tha Bujanovaçkes se rivendosja e rendit do të vazhdojë edhe në javët në vijim. Tregtarët janë të indinjuar, por për momentin po zbatojnë urdhërin e marrë.

– Siç e shihni, rrugët hyrëse në tregun e qytetit janë plotësisht të kalueshme dhe është vendosur rregulli që do ta ruajmë në të ardhmen. Të gjithë shitësit ambulantë i drejtuam në tregun e qytetit, të cilët më parë kishin një vend. Prandaj në zonën e tregut ka vend për të gjithë dhe nuk do të ketë më shitje në rrugë – tha Ramizi.

Mëngjesin e sotëm atë e takuam në vendin e ngjarjes, në rrugën e Mbretit Millutin, e cila herave të tjera gjatë ditës së tregut në këtë kohë ishte pothuajse e pakalueshme.

– Gjobat janë deri në 10.000 dinarë, por duhet të theksoj se gjobat nuk janë qëllimi, por qëllimi është që më në fund të vihet rregulli në qytet gjatë ditës së tregut – thotë Ramizi.

Sipas tij, inspeksioni është aq i vendosur për t’i larguar shitësit nga rruga, saqë në disa raste që nga mëngjesi i sotëm u ka ofruar atyre edhe transportin e mallit për në treg.

Shitësit janë inatosur si me Ramizin ashtu edhe me drejtorin e NP “Komunalia”, të cilin e larguan me klithma “marre”, “kjo nuk ndodhë askund” dhe “po na e merrni bukën e gojës”.

– Thonë se kanë siguruar vende, por nuk ju kanë thënë se ku dhe çfarë vendesh janë ato vende. Kam tezgën 6 metra të gjatë, shesë mall teknik dhe më detyrojnë që veprimtarinë time ta ushtroj në një tezg që ka vetëm 2 metra gjatës, mes shitësve të atleteve të përdorura. Në mëngjesë punonjësit e Komunalisë, që merren me arkëtimin e taksës, me thanë se mund te vendosim tezgat, tani inspeksioni na detyron të futemi brenda. Çështja nuk është vetëm se sa për t’u vendosur diku, por të shesësh diçka. Unë dhe fëmijët e mi jetojmë nga kjo tezgë, atyre kjo nuk u intereson, ngase ata më 5 të muajit do të marrin pagat e tyre – ka thënë për portalin tonë një grua nga Bujanoci.

Ajo shtoi se nuk ka asgjë kundër vendosjes së rendit, por se nuk është e drejtë që gjithçka të shkojë mbi kurrizin e tregtarëve.

– Le të bëjnë sistemimin e duhur në treg, që të mos shkojë tezga me vezë, pastaj me perde. Le të na sigurojnë vende adekuate dhe nuk do të ketë asnjë problem, askush nuk do të kërkojë vend në rrugë – thotë ajo.

Disa shitës të cilët u detyruan të hiqnin tezgat e tyre nga rrugët në afërsi të tregut u zhvendosën drejt qendrës së qytetit, por aty ka reaguar edhe inspeksioni.

– Ne kemi qenë sot në mëngjes në treg, kemi vite që shesim, më saktë kemi qenë në rrugën përballë tregut, sepse tezgat brenda janë të gjitha me qira. Na ndoqën prej andej dhe erdhëm këtu te ish-pompa e benzinës, por tash po na ndjekin edhe nga këtu – thotë për Bujanovaçke Sllađana nga Sërpska Kuqa.

Për bashkëbiseduesin tonë nuk është e qartë, siç thotë ajo, pse në tregun e gjelbërt shiten lavanderitë, kur duhet të shiten vetëm ushqime.

– Ne do të paguajmë gjithçka që duhet, vetëm që të kemi një vend dhe një tezgë ku mund të shesim mallrat tona. Unë jetoj me këtë, nuk kam të ardhura të tjera, duhet të shes – thotë ajo.

Një tjetër shitës thotë se nuk e ka ndërmend të largohet nga atje, sepse kështu mban familjen.

– Ne nuk do të largohemi nga këtu, ndaj le të bëjnë çfarë të duan. Ne duhet të shesim mallrat. Nëse sot nuk i shes produktet e mia, do të më duhet t’i hedh në kosh, ky është një maltretim i pastër – thotë Dragani dhe shton se vitin e kaluar ka qenë në Komunë dhe ka marrë leje nga autoritetet për të shitur në lokacionin pranë ish-pikës së karburantit.

Inspektori komunal Ibro Idiq, të cilin e gjetëm në vendine ngjarjes, nuk ishte veçanërisht i disponuar për të shpjeguar veprimin.

– A e dini ligjin e miratuar nga Qeveria e Republikës së Serbisë, pyesni pse nuk lejohet të shitet në sipërfaqe publike dhe jashtë tregut – u përgjigj shkurt Idiq.

Gorani nga Sërpska kuqa, të cilit inspektori i ka shkruar një gjobë prej 5000 dinarë, ka thënë për portalin tonë se ka ndërmend që fillimisht të shkojë te shefat NP “Komunalia”, të bisedoj me ta, e më pas ta paguajë gjobën.

Meqë ra fjala, kjo nuk është hera e parë që shërbimet komunale tentojnë të rivendosin rendin në treg dhe përreth. Përpjekjet e mëparshme dhanë vetëm rezultate të përkohshme.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *