ARDITA SINANI THOTË SE NDALIMI I SAJ NGA POLICIA SERBE ISHTE I PAARSYESHËM

Bujanoc, 8. gusht 2023. Ardita Sinani, kryetare e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Preshevë dhe këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, thotë se policia serbe e ka ndaluar për gati një orë të hënën në vendkalimin për në Kosovë. Për këtë ka reaguar edhe qeveria e Kosovës.
Prishtina zyrtare njoftoi të hënën se ndalimi i këshilltares së kryeministrit të Kosovës nga policia kufitare serbe është shkelje e rëndë e të drejtës themelore për lirinë e lëvizjes.
Sinani u ndalua në vendkalimin Muçibaba.
“Ndalimi dhe mbajtja e saj për gati një orë në pikën kufitare pa dhënë arsye, ka për qëllim frikësimin dhe ngacmimin vetëm për shkak të kombësisë së saj shqiptare”, njoftoi Qeveria e Kosovës.
Siç thonë nga Prishtina, kjo sjellje e Serbisë, e cila përveç moslejimit të arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe punësimit në institucionet publike, paraqet shkelje të rëndë të të drejtave elementare të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës – të drejtën e lirisë së lëvizjes.
Sinani më herët kishte postuar në Facebook dhe kishte deklaruar se e ka ndaluar policia serbe dhe e vetmja përgjigje që ka marrë ka qenë: “Kemi urdhër ndalimin tuaj dhe nuk mund t’ju lejojmë të kaloni kufirin pa pëlqimin e bazës”.
Ajo ka deklaruar se nuk ka marrë shpjegim se përse është ndaluar dhe kush e jep pëlqimin e saj për të kaluar kufirin.
“Ky mund të jetë çmimi i të qenit këshilltare politike e kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht që nuk do të jetë mjet për të heshtur zërin për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka thënë ajo.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *