BOGDAN MATIQ: PSE E DUA BUJANOCIN, QYTET I SË ARDHMES

Bogdan Matiq, aktivist nga Bujanoci dhe student i Fakultetit juridik në Beograd, ka shkruar për portalin Preshevapress një përmbledhje të jetës në Bujanoc. Teksti riprodhohet me lejen e autorit

Bujanoc, 10. gusht 2023. Të jetosh në një mjedis multikulturor sjell shumë përparësi. Në një komunitet të tillë, njerëz të kulturave, gjuhëve, zakoneve dhe feve të ndryshme jetojnë së bashku, gjë që krijon një pasuri diversiteti.

Një nga avantazhet është mundësia për të njohur kultura të ndryshme dhe për të zgjeruar horizontet tuaja. Një mjedis multikulturor mundëson shkëmbimin e ideve, opinioneve, traditave, gjë që çon në mirëkuptim më të madh mes njerëzve.

Zgjerimi i horizonteve

Këtë blog do t’ia kushtoj qytetit më të pasur kulturor në Serbi. Në qytetin ku u rrita, takova njerëz të mrekullueshëm dhe ku u futa në rrugën e aktivizmit. Do të shkruaj për një vend ku jetojnë njerëz të bukur, shqiptarë, romë, serbë.

Bujanoci njihet si qytet multikulturor me komunitete të ndryshme etnike që jetojnë këtu. Ky diversitet e bën Bujanocin një vend unik me kultura, gjuhë, zakone dhe tradita të ndryshme. Jeta në Bujanoc është e mbushur me përvoja dhe mundësi të shumta për të takuar njerëz nga komunitete të ndryshme.

Kjo mundëson zgjerimin e horizonteve, kuptimin e kulturave të tjera dhe ndërtimin e tolerancës ndëretnike. Në këtë mjedis, ju keni mundësinë të përdorni shumë gjuhë, një aftësi që mund të jetë shumë e dobishme në jetën tuaj personale dhe profesionale.

Bujanoci, si qytet multikulturor, ofron kuzhinë të ndryshme, art dhe ngjarje kulturore, të cilat kontribuojnë në pasurinë e jetës dhe ju mundësojnë të eksploroni aspekte të ndryshme të botës pa pasur nevojë të udhëtoni larg.

Parlamentet e shkollave të mesme që bashkojnë nxënësit

Si ish-nxënës i Shkollës së mesme profesionale “Sveti Sava” në Bujanoc, si kryetar i mëparshëm i parlamentit të nxënësve të kësaj shkolle, është nder dhe kënaqësi e madhe për mua të shkruaj për marrëveshjen e nënshkruar nga shoqja ime Blendina Hiseni (kryetare e Parlamentit të nxënësve të Shkollës së mesme “Sezai Suroi”) dhe unë, me ç’rast kemi bashkuar dy parlamente të nxënësve të shkollave tona, duke e shoqëruar këtë marrëveshje me dy vite të plota punë e aktivitete të përbashkëta kulturore, ekologjike dhe humanitare.

Një ide që qarkullonte mes neshë vite më parë, kur shkuam në një udhëtim shkëmbimi në Zvicër me bashkëmoshatarët tanë në klasën e 8-të të shkollës fillore. Aty patëm mundësinë të shohim se si njerëzit e bashkësive të ndryshme etnike jetojnë së bashku dhe si shoqërohen.

Si nuk ka ndarje dhe diskriminim mes tyre, si përpiqen dhe punojnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë, me forca dhe vullnet të përbashkët.

Ne vendosëm t’ua përcjellim përvojën bashkëmoshatarëve tanë, t’u mësojmë atyre tolerancën, ndërkulturalizmin dhe të ndërtojmë një komunitet më të mirë për të gjithë ne! Kështu bëmë. Kemi arritur të bëjmë atë që askush nuk e ka bërë më parë, kemi bërë një hap të madh të përbashkët drejt afrimit duke shkrirë parlamentet e shkollave tona.

Shpesh kemi hasur në një keqkuptim të mjedisit, kryesisht bashkëqytetarët tanë të moshuar, të cilët ende jetojnë në një kohë të kaluar, dhe ku përpiqen pa sukses të debatojnë me ne.

Politikanët shpesh janë në gjendje të ndikojnë në jetën e qytetarëve këtu me deklaratat dhe veprimet e tyre të pamatura, por me veprime të përbashkëta shkollore arritëm të tërheqim vëmendjen që ata të mos e bëjnë më këtë dhe të mendojnë për ne të rinjtë që jemi e ardhmja e këtij qyteti. Shpesh e kemi theksuar se ne shqiptarët, romët, serbët jemi të gjithë njësoj dhe të barabartë!

Shënimi i festave në Bujanoc

Bujanoci, si vend i shumë feve, shënon shumë festa.
Festat janë ditët më të bukura të vitit, ku vizitojmë njëri-tjetrin, shijojmë bukurinë e festës dhe promovojmë vlerat e përbashkëta.

Festivalet verore në Bujanoc

Vera është stina më e bukur, kur në Bujanoc janë të pranishëm më së shumti njerëz, të cilët vijnë në shtëpitë e tyre nga vendet e largëta ku kanë shkuar në kërkim të punës.

Gjatë verës mbahen festivale të ndryshme, ku të gjithë mund të shijojnë magjinë e muzikës dhe kohët e bukura. Shpesh themi se Bujanoci gjatë verës është qyteti më i bukur në bregdet, vetëm Bujanoci është pa det.

Dhe për në fund

Është e rëndësishme të jemi të hapur ndaj njohjeve dhe perspektivave të reja që na ofron Bujanoci. Kjo atmosferë multikulturore e bën qytetin një vend të veçantë për të jetuar!

Ne duhet të mësojmë gjuhët e fqinjëve tanë, që është një avantazh i madh. Aftësia për të komunikuar me njerëz të ndryshëm në gjuhën e tyre amtare na lejon të kuptojmë më mirë dhe të ndërtojmë lidhje të forta ndërkulturore.

Shijoni përvojën unike që ju ofron Bujanoci, jini të hapur për njohje të reja. Kjo atmosferë multikulturore e bën qytetin një vend të veçantë për të jetuar.

Ky tekst është krijuar si pjesë e projektit “Forcimi i zërave gjithëpërfshirës të viktimave, duke transformuar narrativat”, i cili zbatohet nga Citizen Initiatives, Peace Action, Integra, New Social Initiative, ICTJ dhe PAX, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Pikëpamjet e shprehura në tekst janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *