VENDET E PUNËS NË KOMUNË SHKAK I KONFLIKTEVE MES KOALICIONIT PANSHQIPTARË

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 13. nëntor 2023. Arsyeja e vërtetë e konfliktit mes partnerëve të koalicionit në pushtetin komunal në Bujanoc, partive të Nagip Arifit, Shqiprim Musliut dhe Shaip Kamberit, është shpërndarja e 10 vendeve të punës për një kohë të pacaktuar në Administratën Komunale. Nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu së fundi ka akuzuar kryetarin Arifi dhe bashkëpunëtorët e tij se po përpiqen ta mbajnë të fshehtë konkursin për punësim. Musliu thotë se konkursi nuk është publikuar qëllimisht në faqen zyrtare të Komunës së Bujanocit në Facebook.
“Meqenëse Komuna e Bujanocit hesht në rrjetet sociale dhe nuk e publikon KONKURSIN, me këtë publikim ju njoftoj dhe ju ftoj të gjithë ju që i plotësoni kushtet e parapara me këtë konkurs të aploikoni dhe të luftoni deri në fundi”, thuhet në njoftimin e Musliut.
Bujanovaçke më 2 nëntor ka shkruar se Komuna ka marrë Vendim për punësimin e 10 punëtorëve në kohë të pacaktuar dhe se është në pritje të hapjes së konkursit. Konkursi është shpallur më 6 nëntor, por me të vërtetë jo edhe në faqen e komunës në FB, ku janë publikuar pothuajse të gjitha vendimet e vetëqeverisjes lokale. Konkursin për punësim në Administratën Komunale megjithatë mund ta shihni KËTU.
Musliu më herët e ka akuzuar Arifin për negociata të fshehta me politikanët serbë për punësimin në komunë, ndërsa, për këtë arsye, anëtarët e Këshillit komunal nga partia e tij kanë bojkotuar seancën e këshillit komunal.
Për shkak të shpërndarjes së vendeve të punës sipas planit të Arifit, të pakënaqur janë edhe në Partinë për Veprim Demokratik, ndaj edhe javën e kaluar kanë bojkotuar Këshillin Komunal.
Arifi dyshohet se u ka premtuar serbëve, pra progresistëve, 3 nga 10 vende pune dhe planifikon të punësojë katër anëtarë të partisë së tij. Një vend pune është i rezervuar për një pjesëtar të komunitetit rom, që do të thotë se Lëvizja për Progres Demokratik e Musliut dhe Partia për Veprim Demokratik (PDD) marrin nga një vend pune, gjë që është e papranueshme për ta.
“Nëse kryetari i komunës “e mban fjalën” dhe në këtë konkurs punësohen 10 shqiptarë, do të kërkoj falje publike për reagimin tim publik dhe institucional që e kemi paraqitur në Këshillin komunal”, ishte mesazhi i Musliut.
Pasi partnerët e koalicionit për të dytën herë nuk u paraqitën në seancën e Këshillit komunal të mbajtur javën e kaluar, Arifi i akuzoi ata për shantazh. Megjithatë, ai nuk përmendi shpërndarjen e vendeve të punës, por e lidhi situatën në pushtetin lokal dhe marrëdhëniet mes partnerëve me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *