NË LILANCË PO NDËRTOHET RRUGA QË NUK ISHTE NË KËRKESAT E BL, BANORËT LOKAL PARALAJMËROJNË PADI NDAJ KOMUNËS

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 12. dhjetor 2023. (Foto nga arkivi) – Në fshatin Lilancë afër Bujanocit ka filluar asfaltimi i rrugës që askush nuk e ka kërkuar, ndërsa prona private po uzurpohet, thonë nga bashkësia lokale e këtij fshati. Bashkësia lokale thotë se kjo rrugë nuk është prioritare, pasi në fshat ka rrugica që fëmijët ecin me çizme për të shkuar deri në rrugën e asfaltuar që shpie deri në objektin e shkollës. Vendasit kërcënojnë me padi Komunën për uzurpim të dhunshëm të pronës private. “Dikush e ka kërkuar dhe e ka marrë për arsye politike”, thotë për Bujanovaçke Sllavolub Ristiq, kryetar i BL Lilancë.
Ristiq nuk donte të thoshte se çfarë arsye politike ishin të përfshira, mirëpo Bujanovaçke në ndërkohë ka mësuar se rruga ishte kërkuar nga simpatizantët e PPS (SNS).
– Makineritë kanë ardhur ndërsa punimet e asfaltimit filluan pa kërkesën e komunitetit lokal, ndaj shkaktuan revoltën e banorëve. Njerëzit janë aq të rezignuar sa dje më kanë telefonuar pronarët e pronave mbi të cilën kalon rruga dhe më kërkuan ta informoja Komunën, gjë që e bëra. Ata kërcënojnë se do ta padisin Komunën e Bujanocit për uzurpim të dhunshëm të pronës private, me kërkesë për kthimin e pronës në gjendjen fillestare – shpjegon Ristiq.
Kujtojmë se bëhet fjalë për një rrugë 990 metra e gjatë, për asfaltimin e së cilës në buxhetin e komunës ishin paraparë 11.3 milionë dinarë. Këshilli i Bashkësisë Lokale të Lilancës këtë rrugë nuk e ka përfshirë në planin dhe programin vjetor, por komunës i është propozuar projekti për sjelljen e ujit nga burimi në Rujan dhe asfaltimin e gjashtë rrugicave të fshatit, për të cilin më herët ka shkruar Bujanovaçke.
“Këto ishin prioritetet tona, uji dhe rrugët (rrugicat) ku jetojnë njerëzit, ndërkohë që fëmijët shkojnë në shkollë nëpër baltë, duke u përballur me gropa”, deklaruan më herët nga kjo BL.
– Ne si BL nuk mund të bëjmë më asgjë, jemi të pafuqishëm, sepse tashmë ka kaluar në buxhet dhe është nënshkruar kontrata. Ne kemi marrë qëndrim në këshillin e BL-së se nuk do t’i zgjidhim marrëdhëniet pronësore dhe as si institucion nuk do t’i pengojmë punimet dhe për këtë kemi njoftuar banorët lokal, ndaj le të marrin hapat që mendojnë se janë më të mira për ta – shton Ristiq.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *