fbpx

KAMBERI: NUK NA DUHEN DEPUTET SHQIPTARË BASHKËPUNUES ME VUÇIQIN

Bujanoc, 21. shkurt 2022. Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, tha se për aq sa i rëndësishëm është uniteti i partive shqiptare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, po aq i rëndësishëm është edhe kush do të jenë deputetët e komunitetit shqiptar.

Kamberi, i cili është kandidat i partisë së tij për deputet, thotë se ka mendime se nuk kanë rëndësi emrat, por numri i mandateve që do të fitojnë shqiptarët, gjë që, sipas tij, është e gabuar.

– Si është e mundur që emrat të mos jenë të rëndësishëm. Kjo, së paku, është një qasje shkurtëpamëse. Emrat e deputetëve nënkuptojnë cilësi politike, bindje dhe përvojë. Historia të paktën 50-vjeçare e deputetëve shqiptarë në Beograd është dëshmia më e mirë për këtë. Disa u shërbenin qëllimeve politike të shqiptarëve. Disa interesave individuale apo biznesit dhe krimit të organizuar. Aq më keq, disa u shërbyen nevojave të autoriteteve në Beograd – shkruan Kamberi në Facebook.

Njoftimi i tij vjen në një kohë konflikti mes partisë që ai drejton dhe Alternativës për Ndryshim rreth vendit të parë në listën e vetme zgjedhore të partive shqiptare, për të cilën Bujanovaçke tashmë ka shkruar.

– Edhe unë jam për marrjen e sa më shumë deputetëve, por me kusht që të orientohen siç duhet dhe të udhëheqin një politikë të mirë. Se nëse do të jetë kështu varet nga emri. Dhe historitë politike të çdo emri. Vetë termi deputet shqiptar nuk flet për politikë progresive dhe kombëtare e aq më pak për cilësi. Edhe Ali Shukriu ishte shqiptar, po ashtu edhe Rrahman Morina dhe çfarë na solli kjo? asgjë. Sepse kanë ndjekur politikën e gabuar – thekson Kamberi.

Sipas tij, uniteti dhe numri i deputetëve nuk mjaftojnë ngase pa politikë, apo me një politikë të caktuar dominuese, “mund të përfundoj në përqafim të pushtetit autoritar të Vuçiqit”.

Ai përmendi si shembull disa deputetë në përbërjen e mëparshme të Kuvendit të cilët vijnë nga radhët e boshnjakëve.

– Kjo është rruga e gabuar në të cilën mund të shkohet, por pa mua. Nuk më intereson uniteti që mund të na bëjë vegël apo partner të qeverisë në Beograd – thotë Kamberi.

Ai tha se dihet se çfarë politike ka mbrojtur deri para disa ditësh në Kuvend dhe se ende është i bindur se kjo është rruga e duhur.

– Unë angazhohem për një politikë të tillë, marr përgjegjësi dhe ju ftoj të bashkoheni. Unë bëj thirrje për unitet për këtë politikë. Dhe të kemi sa më shumë të tillë. Vetëm kështu ka kuptim Lugina e Bashkuar – ka përfunduar Kamberi.




Leave a Reply

Your email address will not be published.