fbpx

INTERESIM I MADHË I BUJANOCASVE PËR VAUÇER TURISTIK

Shkruan: D. Stoshiq

Bujanoc, 28 qershor 2022. Qytetarët e Bujanocit që nga mëngjesi i sotëm me durim presin në radhë për vauçerë turistike, ndërsa gjatë ditës së djeshme punëtorët e Postës së Bujanocit kanë lëshuar rreth 50 vauçerë. Siç na u tha, regjistrimi do të bëhet derisa të lëshohen të 200 mijë vauçerët.

– Qytetarët janë shumë të interesuar për vauçerët turistikë. Dje kemi lëshuar rreth 50 të tillë ndërkaq rezervimet kanë qenë kryesisht për disa nga banjat në Serbi – tha për portalin tonë Natasha Matiq, punonjëse e Postës së Bujanocit.

Ajo thotë se aplikojnë kryesisht pensionistët, por edhe tek të rinjtë ka interesim për të kaluar pushimet me familjet e tyre në ndonjë destinacion në vend.

– Vauçerët janë një lehtësi e madhe. Ne si familje e kemi zgjedhur Vërnjaçka Banjën, nuk është larg, po ashtu ofron argëtim të mirë për fëmijët – thotë një bujanocas dhe shton se procedura është “e vështirë”, por që është me kosto efektive.

Të hënën në sportelet e Postës së Serbisë ka filluar aplikimi për vauçerë turistik prej 15 mijë dinarësh ndërsa shteti ka siguruar 200 mijë të tillë.

Për marrjen e vauçerit, qytetarëve u duhet konfirmimi i rezervimit të objektit hotelierik në të cilin planifikojnë të qëndrojnë, aplikimi i plotësuar, letërnjoftimi ose pasaporta, ndërkaq pensionistët, punonjësit ose studentët paraqesin vërtetimin e të drejtës në pension, vërtetimin për punësim dhe lartësinë e pages, ndërsa studentët vërtetimin për regjistrim/vijim të studimeve.

Në sportelet e Postës në Bujanoc qytetarët mund të aplikojnë për vauçer në periudhën prej orës 08:00 deri në 20:00.




Leave a Reply

Your email address will not be published.