fbpx

PRESHEVA DO TË BËHET ME SPITAL DITOR

 

Bujanoc,7 tetor 2022. Në Preshevë do të ndërtohet një spital ditor krahas zgjerimit të hapësirave të Shtëpisë shëndetësore ekzistuese. Prezantimi publik i projektit urbanistik i cili është publikuar në ueb faqen e Komunës së Preshevës do të zgjasë deri më 11 tetor.

Në projekt është paraparë përmirësimi dhe rehabilitimi i objektit të praktikës së përgjithshme, pra Shtëpisë sëndetësore ekzistuese, përfshirë ndërtimin e një departamenti të pediatrisë dhe një qendre këshillimi.

Iniciativa për hapjen e spitalit në Preshevë është nisur nga Këshilli kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) në dhjetor të vitit 2020.

Kërkesa është bazuar në Planin 7-pikësh për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në jug të Serbisë, i cili përfshin të drejtën për kujdes adekuat shëndetësor.

– Shëndeti është një e drejtë themelore e njeriut dhe Serbia është e obliguar që të gjithë qytetarëve t’u ofrojë qasje në kujdesin shëndetësor cilësor, që ofrohet me kohë dhe me kualitetet e nevojshme – kishte thënë në atë kohë kryetari i KKSH Ragmi Mustafa.

Iniciativën e ka përkrahur edhe drejtori i Shtëpisë së shëndetit në atë kohë Driton Saliha, për të cilën ka shkruar edhe Bujanovaçke.

Ndërtimet shtesë janë planifikuar për shkak të kërkesës për rritjen e kapacitetit të objektit dhe nevojës për të akomoduar dy departamente, atë për pediatri dhe për këshillim.

Spitali ditor do të ndërtohet në vendin ku tani është garazhi dhe lavanteria dhe do të sigurohen gjithsej 26 shtretër për pacientët.




Leave a Reply

Your email address will not be published.