MUSTAFI: MARTINOVIQ NË KRYE TË TRUPIT KOORDINUES NUK ËSHTË ZGJEDHJE E MIRË PËR SHQIPTARËT

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 21. qershor 2023. Zyrtari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) Ragmi Mustafi thotë se nuk është optimist se kryetari i ri i Trupit Koordinues për jugun e Serbisë, Aleksandar Martinoviq, do të kontribuojë në përmirësimin e situatës në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. “Përkundrazi, duke pasur parasysh punën e tij politike të deritanishme, mendoj se ai vetëm do ta politizojë më tej negativisht situatën”, thotë Mustafi për Bujanovaçke në lidhje me emërimin e Martinoviqit në krye të TK-së.
– E kemi fjalën për një njeri që vjen nga Partia Radikale Serbe. Pikëpamjet dhe deklaratat e tij që ka bërë më herët janë shumë të diskutueshme për ne shqiptarët – thotë Mustafi.
Bujanovaçke tashmë ka shkruar se kreu i SNS-së në Bujanoc, Nenad Mitroviq, është i kënaqur me zgjedhjen e Martinoviqit për kryetar të TK-së, veçanërisht për shkak se ai është ministër i Qeverisë së Serbisë.
Mustafi vetëm pjesërisht pajtohet me Mitroviqin.
– Fakti që kryetari i TK-së është edhe ministër duhet të jetë pozitiv. Ajo pozitë do t’i mundësonte që të bëjë atë që duhet për këtë fushë, por duke marrë parasysh të gjithë situatën politike në vend, realisht nuk pres asgjë spektakolare, edhe pse është ministër – thotë Mustafi.
Trupi koordinues ka mbetur pa president që nga vdekja e Zoran Stankoviqit në tetor 2021. Qeveria e Serbisë së fundi ka emëruar në krye të TK-së Martinoviqin, i cili është ministër aktual për Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale dhe anëtar i Kryesisë dhe Bordit Kryesor të Partisë Progresive Serbe.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *