AS PUSHTETI NUK E DI NËSE E KA SHUMNICËN, HESHTJE E ZHURMSHME NË KOMUNË

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 21. qershor 2023. Përfaqësuesit e pushtetit komunal në Bujanoc nuk kanë përgjigje në pyetjen e portalit tonë se a ekziston shumica qeverisëse në pushtet apo se kemi rënie të qeverisjes komunale. Nga kryetari i Kuvendit, Enver Ramadani, u përpoqëm pa sukses të mësojmë nëse seanca do të mbahet deri më 30 qershor, kur skadon afati për miratimin e llogarisë përfundimtare të buxhetit të komunës, ndërkohë që shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, Sali Salihi, nuk është përgjigjur në pyetjen nëse Nagip Arifi ka mbështetjen e së paku 21 këshilltarëve.
Për përfaqësuesit e opozitës, shqiptare dhe serbe, nuk ka pasur dilema për statusin e qeverisë as në seancën e fundit të 9 qershorit. Në atë kohë, kreu i Partisë Përparimtare, Nenad Mitroviq dhe lideri i Alternativës për Ndryshim, Arbër Pajaziti, vlerësuan se më nuk ka shumicë qeverisëse e përbërë nga Partia Demokratike (PD) e Arifit, Partia për Veprim Demokratik (PVD) e Shaip Kamberi dhe Lëvizja për Progres Demokratik e Shqiprim Muslit (LDP), sepse nuk është siguruar numër i mjaftueshëm i votave për miratimin e llogarisë përfundimtare të komunës. Për këtë arsye, Mitroviqi ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të komunës, Nagip Arifit.
Bujanovaçke më pas ka kuptuar se trazirat në koalicionin qeverisës dhe ndërprerja praktike e seancës janë shkaktuar nga konflikti mes Arifit dhe zëvendësit të tij Musliut.
Përndryshe, Musli ka mohuar mbështetjen e katër këshilltarëve të tij për shkak se drejtori i Komunalisë Ruzhdi Halili (PD) ka ngritur padi kundër tij për shkak të borxhit prej 250 mijë dinarësh për mospagesën e faturës së ujit të konsumuar në kafiterinë, pronar jozyrtar i së cilës është Musliu. Musliu dyshohet se ka kërkuar pranimin e punëtorëve të rinj në institucionet e drejtuara nga personeli i tij, gjë që Arifi e ka refuzuar. Siç mësojmë, shkak i mosmarrëveshjes është punësimi i personelit partiak në sektorin publik.
Nga kryetari i Kuvendit, Enver Ramadani (PVD) nuk mundëm të mësojmë nëse do të caktojë seancë të re deri më 30 qershor, kur skadon afati për miratimin e vendimit për llogarinë përfundimtare të komunës së Bujanocit për vitin 2022. Shkelja e afatit do të nënkuptonte kallëzim për kundërvajtje për personin përgjegjës dhe gjoba varion nga 10.000 deri në 2 milionë dinarë.
-Gjithashtu, ministri sipas nenit 102 mund t’i pezullojë mjetet e transferimit të komunës – ka sqaruar për Bujanovaçke Nemanja Nenadiq nga Transparency Serbia.
Neni 85 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale përcakton se Kuvendi i vetëqeverisjes lokale mund të shpërndahet nëse nuk mblidhet për më shumë se tre muaj; nuk e zgjedh kryetarin e komunës dhe këshillin komunal brenda një muaji nga data e konstituimit, përkatësisht dorëheqjes; nuk miraton statutin ose buxhetin brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Pas kësaj, deri në zgjedhjet dhe mazhorancën e re, Komuna udhëhiqet nga një organ i përkohshëm i formuar nga Qeveria e Serbisë. Zgjedhjet e rregullta lokale do të mbahen në vitin 2024.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *