KURTI NUMËRON ATO QË KA BËRË PËR SHQIPTARËT NË SERBI DHE I POROSITË SE MË NUK JANË VËTEM

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 1. prill 2024. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci nuk po lihen më në harresë dhe të pambrojtur, duke paralajmëruar se mbështetja vetëm sa do të rritet, ndërkohë që ata po i nënshtrohen diskriminimit ekstrem. Kurti ka renditur se çfarë po bën qeveria në Prishtinë për të përmirësuar pozitën e bashkëkombasve.
– Me qeverinë tonë, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në buxhetin vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 kemi ndarë 2 milionë euro. Këtë vit kemi ndarë 3 milionë euro në buxhet. Vëmendja dhe ndihma jonë nuk ka munguar as më parë. Në qeverinë tonë të parë, në vitin 2020, ndamë gjysmë milioni euro për të ndihmuar tre komuna me shumicë shqiptare që të përballen me pandeminë Covid-19. Vitin e ardhshëm, kur komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ne kemi ndarë 100 mijë euro mbështetje për tejkalimin dhe riparimin e dëmeve”, tha Kurti të dielën.
Sipas tij, ruajtja e identitetit, trashëgimisë kulturore dhe traditës është thelbësore për ekzistencën e shqiptarëve lokal1
– Duke pasur parasysh shkallën e diskriminimit ekstrem me të cilin përballen. Për këtë arsye, ne nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në vitin 2022. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte dhe iniciativa të ndryshme – thotë ai.
Duke numëruar se çfarë është bërë me paratë e Kosovës, ai përmendi se arsimi është çelësi i angazhimit duke siguruar tekstet mësimore falas në gjuhën shqipe për vitin 2022 dhe 2023, si dhe bursa për 107 nxënës.
– Mbështetëm përfaqësuesit e shqiptarëve për të vizituar institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me qëllim ndërgjegjësimin ndërkombëtar për diskriminimin ndaj shqiptarëve, shkeljen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivimin e adresave. Si rezultat, këto çështje u ngritën për herë të parë si temë diskutimi në Senatin amerikan – thotë Kurti.
Ai po ashtu theksoi se avokatët shqiptarë nga tri komuna në jug të Serbisë të cilët kanë leje qëndrimi në Kosovë lejohen të aplikojnë për provimin e jurisprudencës ndërsa edhe punëtorët shëndetësorë kanë mundësi të licencohen për 5 vite për të punuar në institucionet shëndetësore në Kosovë.
– Studentët e diplomuar të mjekësisë kanë kuota për specializime dhe mbështetje financiare në të njëjtin nivel me specialistët nga Kosova. Gjithashtu, po punohet për rregullimin përfundimtar të statusit juridik të personave pa dokumente. Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar dhe publikuar formularin e kërkesës për qëndrim të përhershëm në Republikën e Kosovës në rrethana të jashtëzakonshme për shtetasit pa dokumente nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, ndërsa në Kuvend është duke u shqyrtuar Projektligji për shtetësinë e Kosovës. Ky do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të nënshtetësisë së Republikës sonë për shqiptarët e Luginës”, thotë Kurti.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *