fbpx

SPASIQI DHE VAJZA E KAMBERIT PUNËSOHEN NË KOHË TË PACAKTUAR NË QENDRËN SPORTIVE

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 24 Nëntor 2021. – Një javë pasi kishte hequr dorë nga kthimi në pozitën e drejtorit të Qendrës sportive “Rinia” Bujanoc, në bazë të aktgjykimit të gjykatës, Zoran Spasiq kishte marrë kontratë pune në kohë të pacaktuar. Punë në kohë të pacaktuar në këtë ent publik ka marrë edhe Arbresha Kamberi, vajza e deputetit dhe liderit të Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi.

Se Spasiq dhe Kamberi kanë marrë kontrata pune në kohë të pacaktuar, Bujanovaçkes ia ka konfirmuar edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të QS “Rinia”, Fatmir Hasani, përndryshe kuadër i PVD-së.

Ndalimi i rreptë i punësimit në sektorin publik u hoq pas shtatë vitesh, më 1 janar të këtij viti, kështu që “përdoruesit e fondeve publike” mund të punësojnë, por që numri i punëtorëve të rinj të mos kalojë 70 për qind të numrit të përgjithshëm të atyre punonjësve që i ka pushuar mardhënia e punës në vitin paraprak.

Hasani nuk ka saktësuar nëse punësimi i Spasiqit dhe Kamberit e plotëson këtë kusht, por ka theksuar se ka pasur pëlqimin e institucioneve kompetente republikane.

-Këta nuk janë punëtorë të rinj, ata kanë qenë të punësuar, tani vetëm se kanë marrë kontrata pune në kohë të pacaktuar – shton Hasani.

Sipas tij, nuk ka asgjë të diskutueshme në punësimin në kohë të pacaktuar të vajzës së shefit të partisë së tij dhe Spasiqit, dorëheqjen e të cilit opozita kuvendore e kishte karakterizuar si një marrëveshje me pushtetin, sikur edhe heqjen dorë nga dispozita favorizuese e aktgjykimit.

Spasiq erdhi në Qendrën Sportive në vitin 2014, në postin e drejtorit si kuadëri Boban Pavlloviqit dhe në atë kohë i Partisë socialdemokrate.

Ai është shkarkuar në vitin 2020, në mënyrë të paligjshme, siç ka përcaktuar Gjykata e Lartë në Vranjë, ndërsa po këtë vendim e ka konfirmuar edhe Gjykata e apelit në fillim të këtij muaji.

Spasiq ka hequr dorë nga rikthimi në detyrë “për arsye personale”, siç ka thënë më herët për portalin tonë, duke shtuar se mbetet në pozitën e shefit të shërbimit financiar.

Ndryshe nga ai, Arbresha Kamberi ka vetëm një vit që është punësuar në Qendrën Sportive “Rinia”.

Ajo u punësua për një kohë të shkurtër menjëherë pas formimit të qeverisë së re në Bujanoc, gjegjësisht “shumicës mbarëshqiptare” verën e kaluar.

Ajo ka diplomuar në Universitetin e Tetovës me titullin “administratore publike”, dhe është caktuar në pozitën “sekretare biznesi”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *