fbpx

LOBISTËT SHQIPTAR NË AMERIKË MBI VIZITËN E ARIFIT DHE TË KAMBERIT NË SHBA: NUK KA DIALOG PA LUGINËN E PRESHEVËS

Bujanoc, 13. qershor 2022. Lidga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një organizatë që lobon për çështjet shqiptare, u deklarua pas vizitës së politikanëve shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva në SHBA dhe bëri të ditur se “Lugina e Preshevës është pjesë thelbësore e çështjes kombëtare shqiptare”.

“Evropa në tërësi mund të arrijë paqen dhe stabilitetin afatgjatë vetëm kur shqiptarët etnikë në territorin e të parëve të tyre – në Luginën e Preshevës ndjehen të lirë, të barabartë, duke ndarë një vizion të demokracisë”, tha lobisti në një deklaratë.

Delegacioni nga jugu i Serbisë përbëhej nga kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, funksionarja e kësaj partie, Ardita Sinani dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), Ragmi Mustafa.

Gjatë vizitës së javës së kaluar në SHBA, delegacioni u prit nga ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, kongresmeni amerikan James McGovern, si dhe takime u zhvilluan edhe në Departamentin e Shtetit dhe në Senat.

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane organizoi një vizitë dhe takime, ndërsa udhëtimi u pagua nga qeveria e Kosovës.

Përndryshe, kjo organizatë udhëhiqet nga ish-kongresmenët Joe DioGuardi dhe Shirley DioGuardi, të cilët thonë se “për më shumë se dy dekada janë duke punuar sistematikisht dhe në vazhdimësi për kërkesat e drejta dhe legjitime të Luginës së Preshevës”.

“Ka ardhur koha që çështjes së Luginës së Preshevës t’i kushtohet vëmendje serioze. Forma e spastrimit etnik modern përmes fshirjes së vendbanimit të shqiptarëve etnikë nga Beogradi, mungesa e vazhdueshme e zhvillimit ekonomik dhe rritja e shkallës së varfërisë – nuk mund të tolerohet më. Këmbëngulja e Serbisë për të fituar të drejta maksimale për pakicën serbe në Kosovë, duke injoruar plotësisht edhe të drejtat më elementare të pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës, është padyshim hipokrizi që si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Bashkimi Evropian duhet ta refuzojnë”, thuhet në deklaratë.

Organizata thekson se procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të përfundojë me sukses nëse nuk merren parasysh “kërkesat e justifikuara dhe legjitime të shqiptarëve etnikë nga Lugina e Preshevës”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *